Donfried: Jemi krenarë që mund ta konsiderojmë Kosovën si partnere të SHBA-së
Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, Karen Donfried, ka deklaruar se Kosova do ta zë vendin e duhur në arenën ndërkombëtare nëpërmjet arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, që në qendër ka njohjen e ndërsjellë.
Ajo këto deklarata i ka bërë në një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj të hënën në Kosovë. Diplomatja amerikane, po ashtu, ka përkujtuar edhe përkushtimin e ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, që ka bërë për Kosovën.
“Sekretarja Albright ishte tepër e përkushtuar për Kosovën për të ardhmen e saj. Edhe pse e fituar me shumë mund, paqja dhe progresi i Kosovës nuk duhet të merret si e mirëqenë. Të gjithë ne duhet të luftojmë çdo ditë për të përmbushur nevojat e qytetarëve të saj. Kjo do të thotë angazhimin që Kosova ta zë vendin e duhur në arenën ndërkombëtare, përfshirë marrëdhëniet e normalizuara me Serbinë, që në qendër kanë njohjen e ndërsjellë”, ka deklaruar Donfried.
Tutje, ajo ka thënë se SHBA-ja është krenare që Kosovës tashmë mund t’i referohet si aleate e saj.
“SHBA-të janë krenare që mund ta quajnë Kosovën si partnere të tyre”, ka shtuar Donfried.