Donika Gervalla heshti para ambasadorit të Brazilit që foli kundër FSK-së
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ambasadori brazilian ka shprehur protestën e Qeverisë së tij për praninë kontingjentit të FSK-së në Ishujt Falkland, mirëpo shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gervalla – Shcwarz, nuk bëri zë.
Gjatë fjalës së tij për situatën në Kosovë, ambasadori brazilian u shpreh kundër pjesëmarrjes së pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë të Kosovës (FSK) në Ishujt Falkland, rreth të cilit Mbretëria e Bashkuara dhe Argjentina kanë ende mospajtime, ndërkaq në vitin 1982 është zhvilluar një luftë mes dy vendeve pikërisht në këtë ishull.
Duke folur rreth shkuarjes së kontingjentit të FSK-së përkrah forcave britanike në Ishujt Falkland, ai shtoi se Brazili përkrah sovranitetin e Argjentinës.
Ishujt Falkland janë në Oqeanin Atlantik, 483 km larg nga bregu i Argjentinës, por nën sovranitetin britanik.
Edhe pse mori fjalën për herë të dytë, Ministrja Gervalla-Schwarz nuk e ka parë të arsyeshme të reagoj ndaj qëndrimit të ambasadorit brazilian.
Argjentina dhe Brazili janë dy shtete që nuk përkrahin pavarësinë e Kosovës, ndërkaq me Britaninë e Madhe vendi ynë është aleat i ngushtë në politikën e jashtme, në fushën e sigurisë dhe çështje të tjera.
Në kuadër të avancimit profesional, FSK merr pjesë në misione të ndryshme stërvitore në botë.