Donika Gërvalla: Mustafa s’ka dhënë dorëheqje
Ish-zyrtarja e LDK-së, Donika Gërvalla, i ka quajtur të pasinqerta dhe false ngjarjet e fundit që ndodhën në këtë parti pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Gërvalla në emisionin Desku në KTV, tha se Isa Mustafa në të vërtetë nuk ka ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të LDK-së, por sipas saj, vetëm ka thënë se do t’ia ofrojë Kuvendit.
Ajo e lidh këtë me mundësinë, siç tha ajo, për të manipuluar Kuvendin e ardhshëm zgjedhor të LDK-së.
“Rezultati i 14 shkurtit për LDK-në duhet të kishte çuar në një reagim shumë të shpejt të Kryesisë, pra duke filluar nga Isa Mustafa, kryetarët e degëve, komplet kryesia. Duhet të ishin tërhequr po atë ditë për të dërguar sinjalin e qartë. Mustafa nuk ka dhënë dorëheqje, ai ka thënë që në kuvendin e ardhshëm do të ofrojë dorëheqjen. Pse ndodh kjo, sepse nuk duan ta japin nga dora mundësinë për ta manipuluar kuvendin e ardhshëm zgjedhor. I sinqertë do të kishte qenë ky hap, do të duhej të tërhiqeshin të gjithë, të formohej një grup punues, të përgatiste kuvendin e ardhshëm dhe nga kjo do të vinin rezultatet. Ajo që ka ndodhur është një tentim për mashtrim, për t’i instaluar personat për të cilët janë të bindur që nuk kanë për të pasur asnjë reagim. Unë mendoj që ata kanë qenë të detyruar të bëjnë një reagim, por ka qenë shumë i pasinqertë”, ka thënë Gërvalla që nëpërmjet Listës Vjosa kandidoi për deputete me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ajo tha se nuk ka hapësirë për kthim të saj dhe të tjerëve që u larguan në LDK.