Donika Kadaj dhe Learta Hollaj nga Presidenca e Kosovës vazhdojnë takimet në ShBA
Gjatë qëndrimit në D.C., në takime të ndara, zëvendësshefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj dhe këshilltarja politike, Donika Kadaj Bujupi, u takuan me Kayla McGill, Këshilltare për politikat për gratë, paqen dhe sigurinë në Zyrën e Sekretarit të Shtetit për Çështjet Globale të Grave në Departamentin Amerikan të Shtetit, Adam Kozloski nga zyra e Senatores Joni Ernst, Michael Kurtist, Zëvendës Presidentin për Zhvillim Strategjik, si dhe Lisa Choate, Zëvendës Presidente Ekzekutive në American Councils.
Në takim me McGill fokusi ishte në angazhimet e Zyrës së Presidentes për fuqizimin e grave dhe avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, me ç’rast organizimi i Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga presidentja Osmani dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla u konsiderua si një konribut thelbësisht i vlefshëm për avancimin e kësaj agjende jo vetëm në Kosovë dhe rajon, por edhe përtej.
U diskutua po ashtu për arritjet dhe sukseset e Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci, me ç’rast themelimi i Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, si dhe Grupit për Barazi Gjinore në kuadër të tij, u konsideruan si mekanizma tejet të vlefshëm për avancimin e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e grave.
Nisur nga partneriteti i shkëlqyeshëm me Zyrën e Sekretarit të Shtetit për Çështjet Globale të Grave në Departamentin Amerikan të Shtetit, u diskutua edhe për thellimin e këtij bashkëpunimi përmes projekteve të përbashkëta.
Në takim me Kozloski u diskutua për raportet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.
Në veçanti u vlerësua lartë roli dhe mbështetja e vazhdueshme e Kongresit për Kosovën. Në mes tjerash, u diskutua për zhvillimet në fushën e sigurisë dhe rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë me qëllim të ballafaqimit dhe adresimit të suksesshëm të sfidave në këtë fushë.
Ndërsa, në takim me zyrtarët në American Councils, u diskutua për bashkëpunimin shumë të vlefshëm në mes të dy vendeve në fushën e arsimit dhe mbështetjen e madhe që SHBA-të kanë dhënë për Kosovën në këtë fushë ndër vite.
American Councils është organizatë ombrellë e disa programeve të studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbështetura nga Qeveria e ShBA-ve, në mesin e këtyre programeve është programi KAEF.
Palët diskutuan për benefitet e jashtëzakonshme të këtyre programeve për vendin tonë, si dhe thellimin e bashkëpunimit përmes themelimit të një programi të praktikës në bashkëpunim me Zyrën e Presidentes.