Donjet Bislimi: Diaspora është pjesë e çdo suksesi të vendit tonë
Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, gjatë qëndrimit në Zvicër, ka pasur takime të shumta dhe me këtë rast, ka lavdëruar të rinjtë të cilët ndjehen krenar me përkatësinë e vet, edhe pse nuk kanë lindur në Kosovë.
“Ne jemi përjetësisht falënderues dhe krenar për diasporën tonë, të rinjtë tanë, posaçërisht gjeneratës e cila nuk ka lindur në Kosovë, e cila është krenare me origjinën dhe përkatësinë e vet, duke folur edhe gjuhën e ëmbël shqipe në familje dhe shoqëri”, ka shkruar z. Bislimi në rrjetin social.
Ja postimi i plotë i Donjet Bislimit në fb:
Dekada e Re, platformë e dekadës pas pavarësisë, ka paraparë, impenjimin sa më të madh të diasporës tonë, në rrjedhat ekonomike, politike, arsimore, kulturore të diasporës tonë.
Në kuadër të kësaj gjithëpërfshirjeje, Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës, diasporën e sheh ashtu siç e ka dëshmuar edhe historia jonë e re, burim të fuqishëm për zhvillimin e vendit.
Diaspora jonë, të arriturat e saj në veçanti, është burim frymëzimi edhe për të rinjtë tanë në atdhe, duke arritur kulmin e dijeve në shkencë, art, muzikë, sport e kulturë, me mundësinë që ofron Republika e Kosovës.
Ne jemi përjetësisht falënderues dhe krenar për diasporën tonë, të rinjtë tanë, posaçërisht gjeneratës e cila nuk ka lindur në Kosovë, e cila është krenare me origjinën dhe përkatësinë e vet, duke folur edhe gjuhën e ëmbël shqipe në familje dhe shoqëri.
Ne kontributin e diasporës, nuk mund ta shohim ndryshe, vetëm si pjesë të arriturave të vendit tonë, në rrugën tonë, brenda vlerave dhe kulturës evropiane.
Gjatë qëndrimit në Zvicër, shpreh falënderim për miqtë, shokët e dashamirët për mikpritjen, diskutimet dhe takimet e përzemërta!