Donjet Bislimi, fton bashkëmoshatarët dhe liderët rinorë për përkrahjen e proceseve madhore për vendin

13 tetor 2018 | 16:17

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, sot, ka ftuar të gjithë liderët e organizatave rinore politike kosovare, liderët e rinj të shoqërisë civile dhe mediale, të jenë njëzëri pro përfundimit të proceseve të mëdha në vend që hapen rrugët e mirëqenies sociale, ekonomike dhe kulturore, si për çdo bashkëmoshatar të tyre në Evropë.

Postimi i plotë i tij në rrjetin social “Facebook”:

“Të dashur bashkëmoshatarë,

Sot, më shumë se kurrë në historinë moderne të shtetit tonë, jemi para një vendimi të rëndësishëm të zgjedhjes së drejtimit tonë, cilën rrugë të marrim: rrugën e fuqizimit të shtetit apo rrugën e poenëve politik në dëm të shtetit?!

Unë zgjedh të parën, dhe besoj fuqishëm që edhe ju keni zgjedhur të parën!

Rinia kosovare është në momentin vendimtar të saj të profilizimit pro evropian dhe bashkimit rreth vlerave moderne të gjasave të barabarta dhe barazisë së mundësive, të kultivimit të kulturës pro perëndimore dhe përqafimit të diversitetit si vlerë sociale dhe njerëzore. Se jemi pranë këtyre vlerave e dëshmon realiteti i përditshëm i secilit prej nesh.

Duke përqafuar këto vlera, bashkëmoshatarët tanë, shoqet dhe shokët tanë të fëmijërisë po arrijnë të bëhen doktorë, inxhinierë, oficerë, programerë, ndërmarrës, artistë e sportistë të shquar duke bërë krenarë familjet, lagjet dhe gjithë shtetin e tyre.

Mirëpo, të dashur bashkëmoshatar, sfidat e rinisë janë shumë evidente edhe Sot. Sot ka të rinj që ditën e shtyjnë me pak cent apo pa cent në xhep, që ëndrrat i mbesin ëndrra pasi përpiqet të sigurojë ekzistencën për vete dhe familje dhe nuk mund të luftoj për to.

Kjo është arsyeja pse sot, më shumë se kurrë na nevojitet unitet. Unitet rinor, pa dallim partiak, regjional, fetar apo etnik, rreth kërkesave tona të përbashkëta për mirëqenien e përgjithshme rinore.

Këtë mund ta arrijmë vetëm nëse bashkë, mbështesim proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi ynë, nëse bashkë i japim shtytje të fortë përfundimit të dialogut të brendshëm, përkrahim realisht liberalizimin e vizave, krijimin e ushtrisë dhe temat madhore të cilat nuk po lejojnë që përditshmëria jonë të jetë prioriteti i politikës kosovare.

Andaj, i ftoj të gjithë liderët e organizatave rinore politike kosovare, liderët e rinj të shoqërisë civile dhe mediale, të JEMI NJËZËRI pro përfundimit të proceseve të mëdha në vendin tonë, dhe të na hapen rrugët e mirëqenies sociale, ekonomike dhe kulturore, si çdo bashkëmoshatar yni në Evropë.

Ne nuk jemi vetëm e ardhmja, ne ishim edhe kaluara e lavdishme dhe jemi edhe e tashmja vendimtare!
Faleminderit!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kthimi i fundit i tij si futbollist në Itali, zgjati…