Donjeta Sadiku në kërkim të finales
Bokseria e Kosovës, Donjeta Sadiku, sot (e mërkurë) do të përballet në gjysmëfinale me amerikanen Ellis Rashida Shakilya nga ora 18:00.
Sadiku u kualifikua në gjysmëfinale, pasi të hënën e mposhti garuesen nga Taipei, Wu Shih-yi, në peshat -60 kilogramë. Me këtë rast ajo ia siguroi Kosovës medaljen e parë në histori në një Kampionat Botëror. Donjeta Sadiku e ka të sigurt medaljen e bronztë, por tash do të luftojë për të artën, eventualisht të argjendtën.
Donjeta në tri meçet e para dominoi në ring duke mundur bindshëm 5:0 kundërshtaret – boksieret nga Japonia, Kongo dhe Tajpei. Federata e Boksit e Kosovës vlerëson se Donjeta Sadiku është në formë të mirë dhe e gatshme për fitore dhe medalje të artë.
Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka vlerësuar se boksierja Donjeta Sadiku po rikthen rezultatet e gjeneratës së artë të boksierëve nga Kosova, të cilët prekën majat e suksesit gjatë viteve ’70 dhe ’80.
Sadiku deri tash ka depërtuar deri në gjysmëfinale të Botërorit që po mbahet në Stamboll.
“Donjeta Sadiku është femra e parë në historinë e sukseseve të boksit të Kosovës që siguroi medalje të nivelit botëror. Ajo me këtë arritje po rikthen rezultatet e gjeneratës së artë të boksierëve nga Kosova, të cilët prekën majat e suksesit gjatë viteve ’70 e ’80. Përderisa vitin e kaluar Kosovës iu ndalua padrejtësisht pjesëmarrja në kampionatin botëror të boksit për meshkuj nga ana e Serbisë në Beograd, suksesi i Donjetës është përgjigjja më e mirë për të dëshmuar te komuniteti ndërkombëtar se sportistët tanë janë pjesë e elitës botërore. Storja e Donjetës, e cila mbërthen në vete shumë sakrifica dhe përkushtim, do të mbetet pjesë e historisë sonë dhe motiv për sportistët e tjerë. Bravo Donjeta! Suksese më të mëdha në ndeshjen e radhës”, ka thënë Osmani.
/Veton ZYMBERI/