Dorashkat s’janë të sigurta, mund ta përhapin virusin
Prej ditës kur u konfirmua i prekuri i parë me koronavirus, pamë një përdorim masiv të maskave dhe dorashkave nga ana njerëzit si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit. Por një mjeke britanike ka bërë me dije se përdorimi i dorashkave mund ta rrisë rrezikun e infektimit me koronavirus.
Dr. Simran Deo tha për “The Mirror” se dorashkat mund të përmbajnë mikrobe dhe viruse në sipërfaqen e tyre, kur dikush ka kollitur apo teshtirë mbi to.
“Ndërkohë që dorashkat mund t’i mbrojnë duart nga kontakti me virusin, ato mund ta mbajnë virusin në sipërfaqen e tyre, duke rritur rrezikun e transmetimit të tij nëse prekim fytyrën, ushqimet apo të tjerët”, – shpreh Deo.
Dr. Dao shtoi se larja e shpeshtë e duarve me ujë dhe sapun dhe dezinfektimi i tyre me antibakterial është mbrojtja më e mirë nga koronavirusi. Po ashtu, ajo këshilloi shmangien e kontaktit të ngushtë me të tjerët, ndërsa ata që kanë simptoma të ngjashme me gripin të qëndrojnë në shtëpi.
Nëse i përdorni dorashkat këtë periudhë, sigurohuni që kur t’i hiqni të tregoheni të kujdesshëm dhe pas kësaj t’i lani duart për 20-30 sekonda, në mënyrë që të shmangni ndonjë rrezik të mundshëm.