Dorëheqja e Ali Gashit për rastin e 11-vjeçares u dha për pozitën që nuk ushtrohej fare
Rasti i dhunimit seksual të një vajze 11 vjeçare ka tronditur opinionin. Por, po aq tronditës po del të jetë mënyra se si ka provuar pushteti që ta ruante imazhin përmes dorëheqjeve të ‘orkestruara’ për rastin në fjalë. Njëra dorëheqje del të jetë dhënë nga një pozitë që nuk është shtruar fare prej të dorëhequrit.
“Dy dorëheqje nuk mjaftojnë,” – ishte fjalia e thënë nga kryeministri Albin Kurti si reagim për rastin tmerrues të dhunimit seksual të një vajze 11 vjeçare nga pesë persona. Ky skandal u zgjerua sot pas raportimeve se 11-vjeçarja ishte dhunuar seksualisht edhe në qershor nga gjashtë persona tjerë. E dy dorëheqjet e Kurtit, po dalin të mos jenë fare dorëheqje.
Më 31 gusht, Ali Gashi do të jepte dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve të Mitur. Ai do ta quante aktin si “dorëheqje morale”, pasi u mor vesh se njëri prej personave të dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares i ishte nënshtruar trajtimit sa kishte qenë në burg.
Dorëheqje nga pozita që s’e ushtron
Por, Ali Gashi del se nuk ka qenë duke e ushtruar pozitën nga e cila dha dorëheqje fare në bazë të burimeve të gazetës Nacionale.
“Ali Gashi nuk e ka ushtru atë detyrë prej shtatorit 2021. Tash po thotë që është dorëheqje morale sepse kështu i është kërku nga ministria,” – u shpreh burimi.
Gazeta menjëherë kontaktoi z. Gashi për ta pyetur nëse ka qenë ose jo duke e ushtruar detyrën nga e cila dha dorëheqje, dhe mësoi të vërtetën tronditëse.
“E kam ushtruar atë detyrë për një kohë të gjatë, pastaj nga ajo pozitë jam caktu zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të ShKK-së (Shërbimi Korrektues) për shtatë muaj,” – u shpreh fillimisht z. Gashi.
“Por, ne e dimë se ju e keni pasur atë pozitë në letra, por nuk e keni ushtruar?” – e pyeti gazetari.
“Po, e vërtetë është,” – u përgjigj Gashi.
Përgjigja e Gashit ishte befasuese edhe për gazetarin që nuk priste një konfirmim të të dhënave shqetësuese, se ishte dhënë dorëheqje nga pozita e cila nuk ushtrohej fare prej tij.
Më tej, me anë të telefonit, Ali Gashi u shpreh se arsyeja e dorëheqjes nga pozita që s’e ushtronte ishte sepse personi i dyshuar për dhunim kishte qenë në atë institucion në kohën sa ai ishte përnjëmend drejtor.
“Unë kom dhanë dorëheqje prej asaj pozite sepse unë në 2018-n kom qenë drejtor për trajtimin e të burgosurve të mitur, kur i burgosuri ka qenë në burgje në qendrën e paraburgimit në Lipjan. Tri herë ka qenë aty, dhe akt moral ka qenë sepse s’kemi mujtë me dhanë kontributin sa duhet sa i përket programeve rehabilituese,” – i tha Nacionales z. Gashi duke arsyetuar veprimin e tij të çuditshëm.
Ai e pranoi se detyrën nga e cila kishte dhënë dorëheqje e ushtronte znj. Merita Syla.
Tash, drejtor i burgut të grave
Që nga muaji mesi i prillit, z. Gashi nuk është drejtor i Shërbimit Korrektues por që nga maji ai është drejtor i Qendrës Korrektuese në Lipjan që akomodon të burgosurat gra.
Në momentin që ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve të Mitur, Ali Gashi në fakt ka qenë drejtor i qendrës së përmendur në paragrafin e mësipërm e që njihet gjerësisht si “burgu i femrave (grave)”.
Në ditën e dorëheqjes, 31 gusht, z. Ali Gashi kishte qenë në një mbledhje të thirrur nga Ministria e Drejtësisë së bashku me drejtorë tjerë institucionesh. Burimet kanë thënë se vendimi për dorëheqjen e tij nga pozita që s’e ushtron është marrë pikërisht në atë mbledhje.
Ministria e Drejtësisë udhëhiqet nga Albulena Haxhiu.
Edhe dorëheqja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Samedin Mehmetit, është kontestuar nga protestues e madje edhe nga akterë politikë si ish drejtori i Përgjithshëm i Policisë që ishte shpreh se “ishte përgatitur shkarkimi i tij për shkak të aksioneve në veri”.