Dorëheqja e Haradinajt nuk ka qenë e nevojshme
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, e ka parë të ngutshëm veprimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për të dhënë dorëheqje.
Ai ka bërë me dije se dorëheqja nga posti i të parit të qeverisë për një ftesë nga Gjykata Speciale ka qenë e panevojshme.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, deputeti i PDK-së ka thënë se Haradinaj ka mundur të shkojë në Hagë dhe të kthehet për ta vazhduar punën.
“Mendoj se ai ka mundur të shkojë në Hagë të deklarohet për atë që e kanë ftuar dhe të kthehet prapë në detyrë. Sa kam dëgjuar, nuk ka pasur ftesë për t’u arrestuar, sepse nuk ka pasur aktakuzë. Mendoj se për këtë arsye nuk ka pasur nevojë që të japë dorëheqje”, ka thënë Haliti.
Sipas tij, kryeministri dhe ish-pjesëtarët e tjerë të UÇK-së po paraqiten para një gjykate të Kosovës e jo para një gjykate të huaj siç po deklarohen.
“Së dyti, ai nuk ka shkuar në një gjykatë të huaj, por në një gjykatë të Kosovës. Mendoj se po bën lapsus ai kur po thotë se po shkon në një gjykatë të huaj dhe nuk po do ta çojë kryeministrin e Kosovës në një gjykatë të huaj. Ajo është një gjykatë e Kosovës, pra është Gjykatë e Dhomave të Veçanta dhe vepron e funksionon në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, është shprehur ai.
Haliti ka treguar se PDK-ja është e gatshme për zgjedhje të reja, duke shtuar se fillimisht duhet të konsumohet procedura e paraparë kushtetuese. “Nëse ka zgjedhje unë pres që PDK-ja të dalë fuqishëm si partia e parë dhe të jetë protagoniste e krijimit të institucioneve kryesore të shtetit”, është shprehur ai.
Megjithatë, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës ka thënë se deri më tani asnjëherë zgjedhjet e parakohshme nuk kanë zgjidhur probleme.
“Po deklaroj publikisht se ne kemi tri palë zgjedhje të cilat i kemi bërë pa përfunduar mandatin. Dhe në të gjitha zgjedhjet kemi thënë se zgjedhjet janë zgjidhje e problemit, por realiteti është se asnjë palë zgjedhje të parakohshme nuk e kanë zgjedhur problemin. Përkundrazi, vetëm i kemi dëmtuar në veçanti interesat ekonomike të Kosovës, kemi dëmtuar procesin e ndërtimit të institucioneve demokratike dhe kemi shpenzuar buxhetin e Kosovës”, ka deklaruar Haliti.
“Epoka e re”: Z. Haliti, si e ka parë dorëheqjen kryeministrit Haradinaj? A ka qenë veprim i duhur?
Haliti: Duke pasur parasysh veprimet që i ka bërë edhe herën e parë kur ka shkuar në Hagë, kësaj radhe ndoshta vendimin e ka marrë vetë, sepse ne nuk kemi ditur se do të japë dorëheqje. Në këtë mënyrë na ka gjetur edhe të papërgatitur politikisht dhe emocionalisht. Mendoj se ai ka mundur të shkojë në Hagë të deklarohet për atë që e kanë ftuar dhe të kthehet prapë në detyrë. Sa kam dëgjuar nuk ka pasur ftesë për t’u arrestuar, sepse nuk ka pasur aktakuzë. Mendoj se për këtë arsye nuk ka pasur nevojë që të japë dorëheqje. Së dyti, ai nuk ka shkuar në një gjykatë të huaj por në një gjykatë të Kosovës. Mendoj se po bën lapsus kur po thotë se po shkon në një gjykatë të huaj dhe nuk po do ta çojë kryeministrin e Kosovës në një gjykatë të huaj. Ajo është një gjykatë e Kosovës, është Gjykatë e Dhomave të Veçanta dhe vepron e funksionon në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
“Epoka e re”: Pas këtij veprimi të kryeministrit të gjitha partitë, të pozitës dhe opozitës, kanë shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje. Do të duhej të shkohet në zgjedhje apo të provohet ashtu siç e parasheh Kushtetuta, që koalicioni aktual ta gjejë një kandidat tjetër për kryeministër?
Haliti: Në çdo situatë mendoj se ne duhet t’i zbatojmë rregullat kushtetuese. Vetëm nëse rregullat kushtetuese nuk e mundësojnë zgjedhjen e problemit mund të bëhet revolucioni. Po e quaj kështu sepse pamundësohet mënyra për t’u rikrijuar institucionet. Kur nuk ka zgjidhje duhet të shkohet në zgjedhje për t’i krijuar institucionet e reja. Sa iu përket zgjedhjeve, ne si parti jemi deklaruar se jemi të gatshëm për zgjedhje. Mirëpo, unë besoj se presidenti ka për detyrim kushtetues që t’i zbatojë strikt rregullat që ia përcakton Kushtetuta.
“Epoka e re”: A besoni se koalicioni aktual e ka vullnetin dhe fuqinë që ta nxjerrë edhe një kandidat për kryeministër dhe ta vazhdojë punën kjo legjislaturë?
Haliti: Nëse koalicioni aktual është i gatshëm për ta zgjedhur një kandidaturë për kryeministër dhe të vazhdojë respektimin e marrëveshjes ekzistues, besoj se ky koalicion ka kapacitete dhe mundësi ta vazhdojë punën edhe më tutje.
“Epoka e re”: Si mendoni se do të dalë në këto zgjedhje PDK-ja, meqenëse tashmë kjo parti ka përfunduar edhe procesin e brendshëm zgjedhor?
Haliti: Nëse ka zgjedhje, unë pres që PDK-ja të dalë fuqishëm partia e parë dhe të jetë protagoniste e krijimit të institucioneve kryesore të shtetit.
“Epoka e re”: Do të bëjë ndonjë koalicion parazgjedhor apo do të shkoni vetëm në zgjedhje?
Haliti: Do të varet shumë nga konfiguracioni politik i këtyre partive politike. Ne kemi një joshje do të thosha në mes të partive të majta dhe të djathta, sepse të gjithë përcaktohemi në një farë mënyrë se çfarë orientimi politik kanë partitë, por kur është fjala për zgjedhje, harrojnë se a janë të majtë apo të djathtë. Mendoj se PDK-ja do të dalë e para në këto zgjedhje, ndërsa koalicionet varen shumë nga vullneti dhe interesat e partive politike. Në politikë gjithçka mund të ndryshojë. Me rëndësi është të shohim se cili është varianti: vazhdimi i qeverisjes me një kryeministër tjetër apo krijimi i institucioneve të reja. Po deklaroj publikisht se ne kemi tri palë zgjedhje të cilat i kemi bërë pa përfunduar mandatin. Dhe në të gjitha zgjedhjet kemi thënë se zgjedhjet janë zgjidhje e problemit, por realiteti është se asnjë palë zgjedhje të parakohshme nuk e kanë zgjedhur problemin. Përkundrazi, vetëm i kemi dëmtuar në veçanti interesat ekonomike të Kosovës, kemi dëmtuar procesin e ndërtimit të institucioneve demokratike dhe kemi shpenzuar buxhetin e Kosovës. Sidoqoftë, ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhje dhe t’i fitojmë ato.
“Epoka e re”: I bie kjo se më mirë do të ishte të vazhdohet puna e kësaj legjislature sesa të shkohet në zgjedhje të reja?
Haliti: Jo, unë thashë se ekziston mundësia kushtetuese për ta provuar. Se a është më mirë apo jo do ta vlerësojnë të gjithë. Vlerësimi im është individual. Mendoj se koalicioni aktual, nëse duhet edhe zgjerimi i koalicionit, Kosova ka kapacitete për mirëqeverisje nëse dëshirojnë ta bëjnë këtë. Kosovës nuk i duhet vetëm kryeministri, sepse unë po i lexoj këto deklarimet e këtyre partive politike të cilat po thonë se nëse shkon Ramushi vjen Albini ose dikush tjetër, Kosova do të përparojë. Jo. Kosova nuk mund të përparojë në variantin e emrave individualë. Kosova mund të përparojë vetëm kur institucionet politike dhe ligjzbatuese të Kosovës do të jenë të barabarta para ligjit dhe kur ato ta ndërpresin përfundimisht krimin dhe korrupsionin.
“Epoka e re”: Nëse vendoset që të shkohet në zgjedhje të reja, sa është i mundshëm që përsëri të shkojë bashkë në zgjedhje koalicioni PAN, por kësaj herë me kandidat për kryeministër z. Veseli?
Haliti: Mendoj se PDK-ja ka bërë një veprim të gabueshëm kur ka pranuar që postin e kryeministrit t’ia japë një partie tjetër. Edhe pse partitë politike në çdo situatë luftojnë për ta mbajtur pushtetin, sepse përmes pushtetit ato mund t’i realizojnë programet e tyre politike. Sidoqoftë, ka qenë vullnet i z. Veseli dhe i partisë në përgjithësi që partitë e dala nga UÇK-ja të jenë bashkë. Së dyti, është menduar se kështu së bashku do të marrim vendime të mëdha në interes të vendit dhe, po ashtu, do të përballemi me sfidat që kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit, me luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit. Pra, është menduar që me përpjekje të përbashkëta titanike t’ia sigurojnë Kosovës integrimin në institucione ndërkombëtare dhe ta marrin liberalizimin e vizave. Por çfarë duhet të bëjmë tash. Ne si parti politike mendoj se duhet të dalim me kandidaturën tonë për kryeministër. Besoj fuqishëm se në këtë mënyrë ne do të dalim fitues dhe z. Veseli do të jetë kryetar i qeverisë së ardhshme pas zgjedhjeve. Tani nuk e di se cilat janë raportet individuale në mes të individëve të veçantë të cilët kanë pasur përgjegjësinë kryesore për qëndrimin e këtij koalicioni dhe prishjen eventuale të tij. Se a do të ketë mundësi apo jo për përsëritjen e këtij koalicioni është çështje ditësh që do ta kuptojmë edhe nga zhvillimet që do të rrjedhin. Jam plotësisht dakord që z. Veseli të jetë kandidat për kryeministër të Kosovës, sepse deri më tani, me deklarime dhe veprime, ka treguar se do të ketë gatishmëri që të përballet me të gjitha këto që i thashë më lart. Pra, me luftimin e krimit të organizuar, luftimin e korrupsionit dhe përzgjedhjen kualitative të administratës shtetërore në përgjithësi.
Muhamet KOCI