Dorëheqja e Shpend Ahmetit
Lulëzim ETEMAJ
Dorëheqja e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga Vetëvendosje nuk ka asgjë të përbashkët as me bindjet politike dhe as me parimet e tij personale, pardje feriste e deri dje vetëvendosëse. Përkundrazi, kjo dorëheqje paraqet shembullin më shkollor, se si jo vetëm institucionet e shtetit të Kosovës, por edhe partitë politike, janë krejtësisht nën kontroll, në kuptimin e plotë të fjalës, nga ana e ambasadave të shteteve mike, siç e cilësojnë veten një pjesë e tyre dhe, posaçërisht, siç na i paraqesin liderët e institucioneve dhe partive politike të vendit.
Ndërsa një nga shkaqet e krizës në të cilën janë zhytur ato, mund të kërkohet pikërisht në adresa të ambasadave. Sepse pothuajse çdo ambasadë paraqet interes në vete edhe në këtë rast kur Kosova zyrtarisht paraqet një çështje politike, diplomatike, rendi dhe ligji të përmasave gjithëevropiane dhe amerikane.
Më datën 2 korrik 2012, Grupi Ndërkombëtar Drejtues kishte vendosur në Vjenë në mënyrë unanime t’i japi fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. “Nga sot, Kosovës i hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare, kurse mandati i ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare) pushon në shtator”, ka deklaruar më këtë rast ministri i Jashtëm i Austrisë, Mihael Shpindeleger.
Ky vendim i anëtarëve të GND-së ishte përshëndetur nga liderët në Kosovë dhe njëkohësisht ishte cilësuar si vendim që i hap një perspektivë të re shtetit të Kosovës.
Kjo është ana zyrtare e çështjes.
Ana praktike është krejt diçka tjetër. Si shembull kemi EULEX-in, i cili ende është aktiv në Kosovë dhe me kompetenca praktike. E, këtij misioni, zyrtarët e institucioneve të shtetit të Kosovës, herë i japin mandat deri në fund të Korrikut 2018 e herë ia lënë mandatin të hapur. Sërish është ky një shembull që flet për (pa)varësinë e politikës së Kosovës.
As ana pozitive dhe as ajo negative e kësaj gjendjeje nuk janë në këtë rast temë trajtimi. Është kështu edhe për faktin, se si njëra ashtu dhe tjetra janë mbi të gjitha krejt subjektive.
E, demarkacioni me Malin e Zi?! Vërtet ta kemi bindjen se nuk është ratifikuar deri më tani në Kuvendin e Kosovës vetëm për fajin e partive politike?
Ngushëllimi i vetës në këtë rast me të ashtuquajturën “teori konspiracionit” është ngushëllimi më jopërdorues që mund t’i bëhet vetës.
Prandaj, dorëheqja e Shpend Ahmetit nga Vetëvendosje është larg më kompleksive, se sa që mund të duket në shikim të parë. Dhe, kërkon një qasje të përtej politikave kompleksive ditore, vendore dhe ndërkombëtare.