Dorëheqjet e kryetarëve serbë, demonstrim i shkëputjes së veriut nga administrimi i Kosovës
Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani kanë mbetur pa kryetarë legjitimë.
Në shenjë revolte ndaj vendosjes së taksës prej 100 përqindësh për produktet serbe, katër kryetarët e këtyre komunave kanë dhënë dorëheqje. Dorëheqja e tyre është komentuar të mërkurën në mënyra të ndryshme nga njohësit e proceseve politike.
Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë për gazetën “Epoka e re” se dorëheqja e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës është demonstrim i dëshirës së Beogradit dhe të Listës Serbe që veriu të shkëputet nga administrimi i Kosovës. “Ashtu edhe janë deklaruar në protestën e së martës për qëllimin e aksionit të tyre. Është një reagim relativisht i matur për dallim nga reagimet e mëparshme të dhunshme dhe me bllokada të rrugëve dhe të komunikimeve me pjesën tjetër të Kosovës. Aksioni arsyetohet si reagim ndaj taksës prej 100 përqindësh për importin e mallrave nga Serbia në Kosovë, duke e paraqitur këtë si shkelje të të drejtave të serbëve dhe rrezikim të ekzistencës së tyre. Duke qenë se trupat e KFOR-it kanë filluar të martën ‘manovrat’ disaditëshe në veri, si dhe të drejtën e dakorduar më herët që Policia e Kosovës mund të operojë në veri të Kosovës, Beogradi është kujdesur që të mos provokohen konfliktet me viktima, si dikur kur janë sulmuar pikat kufitare dhe doganat që janë nën kontrollin e administratës tonë”, ka deklaruar Maliqi, duke shtuar se zhvillimet në veri lidhen me projektin e shkëputjes së katër komunave në veri në tërësi ose pjesërisht.
“Ky projekt së fundi ka dalë si alternativë për arritjen e marrëveshjes finale politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, e që kapakun ia ka vënë edhe agjitimi i presidentit Hashim Thaçi, që Lugina e Preshevës, edhe ajo si tërësi ose pjesërisht, t’i bashkohet Kosovës. Deri tash kemi pasur agjitacion, propagandë dhe testim të idesë në qendrat ndërkombëtare, kurse tani, pasi që dialogu mes dy vendeve ka hyrë në fazën finale, po testohet edhe terreni, që të sigurohet statusi i aktit të kryer, në këtë rast demonstrimi se veriun efektivisht e kontrollojnë serbët”, është shprehur ai.
Maliqi ka vlerësuar se ky është vetëm një pozicionim dhe jo diçka e realizuar që duhet të zgjidhet në bisedime. “Prej që janë vendosur pikat kufitare në veri dhe Beogradi parimisht është pajtuar me heqjen e strukturave paralele dhe që komunat në veri të lidhen me Prishtinën, pra që rendi dhe siguria atje të kontrollohet nga Policia e Kosovës, që në përbërjen e saj i ka edhe serbët. Veriu është dashur të integrohet plotësisht në administratën e Kosovës, por kjo nuk ka ndodhur, ose ka qenë disi gjysmake, sepse marrëveshja nuk është respektuar, dhe zëvendësimi i strukturave paralele me strukturën administrative dhe politike kosovare është bërë vetëm formalisht, kinse është integruar në sistemin e Kosovës por, objektivisht, përmes Listës Serbe ka mbetur nën kontrollin e plotë të Beogradit, duke vepruar si mjet shantazhues, herë duke marrë pjesë në Qeveri dhe herë në Kuvend, herë duke i bojkotuar institucionet e Kosovës. Tani duan anulimin e krejt procesit, duke u ndarë nga Kosova si dhe serbët në brendi të Kosovës. Por, megjithatë, ky është pozicionim dhe jo diçka e realizuar. Kjo duhet të zgjidhet në tavolinën e bisedimeve”, ka theksuar Maliqi.
Sipas Maliqit, institucionet e Kosovës sikur janë kapur në befasi dhe po hezitojnë të reagojnë për dorëheqjet e kryetarëve të komunave veriore. “Për shembull, kryeministri Haradinaj të martën nuk ka dashur ta komentojë ngjarjen, mbase për arsye se ka pritur të bëhen analizat. Ai premtoi se do të reagojë të mërkurën. Por, ende nuk e ka marrë mundin të thotë diçka konkretisht, vetëm shfrytëzoi ceremoninë e zëvendësimit të komandantit të NATO-s për të thënë: ‘Falë NATO-s Kosova është shtëpi e sigurt’. Mendoj se Qeveria dhe partitë politike tona janë në një situatë të konfuzionit dhe përçarjes. Shumica deklarohen kundër ndarjes së Kosovës dhe këmbimit të territoreve, po nuk i besojnë presidentit Thaçi rreth mundësisë që Lugina e Preshevës të bëhet pjesë e Kosovës. Në esencë, disa po presin sqarimin dhe rreshtimet e Fuqive të Mëdha ose edhe çka do të sjellë Thaçi nga ShBA-ja, ose të shohin se çfarë realisht përmban projekti i këmbimit, a është dëmtues apo i sjell dobi Kosovës”, ka deklaruar Maliqi.
Mushkolaj: Zhvillimet e fundit në veri dobësojnë pozicionin e Kosovës në dialog
Edhe njohësi tjetër i proceseve politike Imer Mushkolaj ka thënë të mërkurën për gazetën “Epoka e re” se që nga dita e martë kemi një situatë të re në veri të Kosovës për shkak se katër kryetarët e komunave kanë dhënë dorëheqje kinse për arsye të vendosjes së taksës ndaj mallrave të Serbisë.
Ai ka thënë se ky është vetëm një arsyetim pas të cilit fshihet destabilizimi i gjendjes në veri në çfarëdo forme. Sipas Mushkolajt, kjo që ka ndodhur në veri e përshpejton procesin e përfundimit të një marrëveshje të pretenduar me Serbinë, por tash në pozicione të reja.
“Komunat e veriut e kanë shkëputur lidhjen me Prishtinën dhe tash atje qeverisin strukturat paralele për shkak se secila komunë e ka atë që quhet organ i përkohshëm që është njëfarë lloj institucioni komunal i emëruar nga Qeveria e Serbisë. Tash serbët e kanë forcuar pozicionin duke e krijuar një momentum të ri i cili e dobëson pozicionin e Kosovës në çfarëdo vazhdimi të dialogut me Serbinë. Unë e shoh në aspektin politik këtë që ka ndodhur, edhe pse dikush mund ta arsyetojë si aspekt ekonomik dhe social, por ky është vetëm arsyetim për krijimin e situatës së re”, ka deklaruar Mushkolaj, duke shtuar se këto zhvillime flasin për realizimin e një skenari.
“Është interesant se pse dhanë dorëheqje kryetarët e komunave të tjera në jug të vendit, por u tërhoqën vetëm këta në veri. Nëse këta paskan pasur probleme për furnizim me bukë, barna e të tjera, pse nuk paskan problem Shtërpca, Graçanica dhe komunat e tjera serbe që nuk janë në veri. Në fakt, po shihet se këtu është një skenar që ka filluar të realizohet, por tash nuk mund të spekuloj se çfarë mund të ndodhë. Kjo qasje e kryetarëve në veri na jep të kuptojmë se bëhet fjalë për një lloj shkëputje së pari të komunikimit, e pastaj përpjekjen për t’u shkëputur edhe në të gjitha format e tjera”, ka theksuar ai.
Mushkolaj ka vlerësuar se ajo që ka ndodhur në veri e ka shpërfaqur realitetin e asaj se gjithçka që është thënë deri më tash qoftë nga Prishtina, qoftë nga Brukseli për normalizimin e situatës dhe për funksionimin e institucioneve në veri, paska qenë një maskë. “Për shkak se, siç u pa, vetëm për një moment të caktuar ata njerëz që deri dje janë paguar, kanë marrë privilegje dhe kanë përfaqësuar institucionet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dinë të tërhiqen dhe t’ia kthejnë shpinën Prishtinës dhe natyrisht të kthehen edhe zyrtarisht kah Beogradi, edhe pse formalisht ata i kanë pasur lidhjet me Beogradin”, ka thënë ai, duke mos përjashtuar mundësitë e kthimit të kryetarëve në komuna. “Ata edhe mund të kthehen, por situata e krijuar nuk mund të kthehet mbrapa. Ka ndodhur një momentum në veri që nuk ka kthim mbrapa. Ata formalisht nuk e kanë njoftuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, por kjo nuk do të thotë se ata nuk po funksionojnë në veri nën menaxhimin e strukturave paralele dhe kjo është shumë e rrezikshme për shkak se ata nëse nuk e njoftojnë MAPL-në atëherë ministria nuk mund ta njoftojë KQZ-në për shpalljen e zgjedhjeve dhe as nuk mund të merren veprime zyrtare çfarë do të duhej të ndërmerren në një situatë normale. Kjo e bën edhe më të rrezikshme situatën për shkak se atje thjesht mbetet një territor pa qeverisje, respektivisht nën qeverisjen e strukturave paralele”, është shprehur Mushkolaj.
Ai ka thënë se për zhvillimet në veri nuk ka pasur reagime të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe, sipas tij, kjo është shqetësuese. “Nuk kemi pasur reagime të shpejta të cilat i determinon një situatë e tillë sepse është një situatë e jashtëzakonshme meqë nuk është normale se katër kryetarë të komunave që përbejnë një pjesë të rëndësishme të territorit të japin dorëheqje. Edhe ky mosreagim kam frikë se shkon pikërisht si pjesë e këtij skenari që e përmenda më herët. Ose ndoshta Qeveria e Kosovës ka ndonjë plan tjetër që neve nuk na është prezantuar dhe pret një moment të caktuar që ta prezantojë. Në një situatë të tillë Qeveria dhe institucionet e tjera do të duhej të ishin të gatshme të reagojnë”, ka thënë Mushkolaj.
(Shqipe Hetemi)