Dorëhiqet komisioneri evropian, pas “krisjeve” me Von der Leyen
Surprizë e madhe në Bruksel: Thierry Breton, Komisioneri i fuqishëm evropian i ngarkuar me tregun e brendshëm, ka dhënë dorëheqjen.
Kjo, duke pretenduar se Ursula von der Leyen i kishte bërë presion Francës, vendit të tij, që të paraqiste një kandidat tjetër për ta zëvendësuar.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters” dhe transmetuesi “Euronews”.
Breton e njoftoi vendimin në një letër të botuar të hënën në mëngjes, duke thënë se ai u bë i vetëdijshëm për këtë lobim të supozuar “disa ditë më parë”, ndërsa presidentja e Komisionit i dha dorën e fundit ekzekutivit të saj të ri.
Francezi pritej të merrte një portofol të rëndësishëm në Komisionin e ardhshëm, pasi u përfol për një post si nënpresident ekzekutiv.
“Disa ditë më parë, në fazën e fundit të negociatave për përbërjen e së ardhmes së Kolegjit, ju i kërkuat Fracen të tërhiqte emrin tim – për arsye personale që në asnjë rast nuk e keni diskutuar drejtpërdrejt me mua – dhe ofruat, si një shkëmbim politik, një portofol gjoja më me ndikim për Francën në Kolegjin e ardhshëm”, shkruan fillimisht Breton.
“Tani do t’ju propozohet një kandidat tjetër”, shtoi ai në letër.
Komisioneri thotë se ishte një “nder” që ka punuar në pesë vitet e fundit si Komisioner për tregun e brendshëm “mbi interesat kombëtare dhe partiake”.
“Megjithatë, në dritën e këtyre zhvillimeve – dëshmi e mëtejshme për qeverisjen e dyshimtë – kam arritur në përfundimin se nuk mund të ushtroj më detyrat e mia në Kolegj”, vëren ai.
“Prandaj po jap dorëheqjen nga pozicioni im si Komisioner Evropian, e cila hyn në fuqi menjëherë”, ravijëzoi në përmbyllje Thierry Breton.
Dorëheqja e Breton-it pason një numër vendesh që ndërruan kandidatët e tyre fillestarë për komisionerë gjatë javëve të fundit në përgjigje të presionit të von der Leyen ndaj kryeqyteteve për të emëruar kandidate femra.
Është e paqartë nëse lëvizja e tij do të nënkuptojë një vonesë të mëtejshme për njoftimin e ekipit të ri të komisionerëve të von der Leyen të planifikuar për të martën.
Të gjithë të nominuarit, një nga secili prej 27 vendeve anëtare të BE-së, duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian përpara se të marrin postet e tyre.
Sllovenia gjithashtu nuk ka emëruar zyrtarisht kandidatin e saj për komisioner për shkak të një grindjeje politike të brendshme.