Dorëhiqet ministri britanik për Brexit
Ministri britanik i Brexit, Dominic Raab ka dhënë dorëheqjen duke thënë se nuk mund ta mbështesë marrëveshjen për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Theresa May ka njoftuar mbrëmjen e së mërkurës se ajo ka siguruar mbështetjen e kabinetit të saj për marrëveshjen, pas një takimi prej 5 orësh.
Por, sipas medieve britanike, disa ministra kanë qenë kundra, sikurse mund të jetë dhe Raab.
May do të raportojë sot përpara parlamentit britanik, ku pritet të gjejë një atmosferë të ashpër. Sipas paktit të dakordësuar, mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës nuk do të ketë kontrolle kufitare. Do të ruhet i njëjti status si në Bashkimin Evropian, të paktën deri në vitin 2020. Nëse parlamenti miraton paketën e May-t, marrëveshja pritet të nënshkruhet më 25 Nëntor në Bruksel në një samit të jashtëzakonshëm./tvklan.al/