Dorëzohen mbi 100 padi për vrasjet dhe masakrat e kryera nga kriminelët serbë në Gjakovë

31 maj 2022 | 15:42

Shoqata për Krimet e Luftës Gjakova ’98 -‘99 ka dorëzuar të martën kontingjentin e 16-të të kallëzimeve penale kundër kriminelëve serbë të cilët kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.

Mbi 100 padi janë bërë për shkak të vrasjeve dhe masakrave që kanë ndodhur në territorin e Komunës së Gjakovës.

Koordinatorja e kësaj shoqate, Liridona Binakaj, ka deklaruar se tani e tutje do të merren me përgatitjen e padive që kanë të bëjnë me personat e zhdukur me forcë, me torturat,  por edhe me dëmet materiale që janë shkaktuar si pasojë e luftës.

“Sot janë dorëzuar mbi 100 padi të cilat kanë të bëjnë me kallëzime penale për vrasjet dhe masakrat që janë kryer në luftën e fundit nga forcat serbe në Gjakovë. Puna jonë nuk do të thotë që do të mbarojë me kaq. Këtu ka përfunduar pjesa e kallëzimeve penale që ka të bëjë me masakra dhe vrasjet. Ndërsa tash e tutje ne do të merremi me kallëzime të tjera penale, me kallëzimet të cilat kanë të bëjnë me pengjet e luftës që janë marrë, me torturat e po ashtu edhe me dëmet materiale që janë shkaktuar në luftën e fundit në Komunën e Gjakovës, ka thënë Binakaj.

Ajo ka thënë se paditë me krimet e realizuara janë të dokumentuara me fotografi, ndërsa ka edhe emra të autorëve të këtyre masakrave, por që nuk kanë dashur t’i bëjnë publike.

Ndërsa drejtuesja e kësaj shoqate, Shkëndije Hoda, ka thënë se fakti që prokurorët kanë qenë në dy vende ku janë krye dy masakra të mëdha në Gjakovë, si në Mejë si dhe te Ura e Taliqit, dëshmon se ka këto kallëzime penale po sjellin lëvizje pozitive.

Ajo ka thënë se deri më tani kanë identifikuar mbi 7 300 pjesëmarrës në vrasjet dhe masakrat e kryera, të cilët janë mercenarë dhe të formacioneve të ndryshme ushtarako-policore serbe që kanë operuar në Komunën e Gjakovës.

Po ashtu, prej fillimit të vitit 2018 nga kjo shoqatë ka bërë me dije se kanë identifikuar tri raste të dhunimeve seksuale, dy prej të cilave kanë shkuar në prokurori, ndërsa një tjetër është paraqitur në polici.

Sipas të dhënave të autoriteteve lokale, në Komunën e Gjakovës me 70 fshatra të djegura janë djegur 6 200 shtëpi banimi dhe objekte të tjera përcjellëse, 47 objekte kulturore historike e fetare, 18 objekte shëndetësore, 23 shkolla dhe 80 për qind e infrastrukturës.

Gjatë luftës në Gjakovë kanë rënë 180 dëshmorë, 609 të zhdukur, 645 viktima civile dhe 324 të burgosur.

Pas luftës nga regjimi i Millosheviqit janë dënuar 154 civilë të pafajshëm me 1 632 vjet burgim./ Ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sergio Perez ka rinovuar kontratën e tij me Red Bull.…