Dorëzohet Djokoviçi, thotë se do ta respektojë vendimin e gjykatës për dëbim
Gjykata në Australi ka vendosur që ta dëbojë Novak Djokoviçin nga vendi. Vendimi u mor para pak çastesh dhe kështu kërkesa për aprovimin e vizës iu anulua tenistit serb.
20-herë kampioni i Grand Slam-it pati seancën në Gjykatën Federale sot në një përpjekje të fundit për të qëndruar dhe garuar për titullin, shkruan Gazeta Express
Shefi i drejtësisë James Allsop, gjyqtari Anthony Besanko dhe gjyqtari David O’Callaghan vendosën njëzëri se Djokoviç nuk kishte arsye për të kundërshtuar urdhrin e dëbimit të Ministrit të Emigracionit Alex Hawke.
Tani, Djokoviç nuk ka vizë dhe kështu do të dëbohet nga Australia. Nëntë herë kampioni i Australian Open do të largohet nga vendi shumë shpejt.
Ndërsa, ka ardhur edhe reagimi i parë i tij pas këtij vendimi.
“Do të doja të bëja një deklaratë të shkurtër për të adresuar rezultatet e seancës së sotme të Gjykatës. Tani do të marr pak kohë për të pushuar dhe për t’u rikuperuar, përpara se të bëj ndonjë koment të mëtejshëm përtej kësaj. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me vendimin për të hedhur poshtë kërkesën time për shqyrtim gjyqësor të vendimit për anulimin e vizës sime, që do të thotë se nuk mund të qëndroj në Australi dhe të marr pjesë në Australian Open. Unë respektoj vendimin e Gjykatës dhe do të bashkëpunoj me autoritetet përkatëse në lidhje me largimin tim nga Australia. Ndihem i jo mirë që fokusi i javëve të kaluara ka qenë tek unë dhe shpresoj që të gjithë tani mund të fokusohemi në lojën dhe turneun që dua. Do të doja t’u uroj lojtarëve, zyrtarëve të turneut, stafit, vullnetarëve dhe tifozëve të gjithë më të mirën për turneun”, u shpreh Djokoviç.
Djokoviç nuk mund të ankohet më për këtë vendim. Kështu, ai do të mungojë në GrandSlamin “Australian Open” që nis të hënën.
Qeveria nuk tregoi nëse do të përdornin opsionin për të parandaluar Djokoviç që të aplikonte për vizë për të hyrë në Australi për tre vitet e ardhshme.