Dorëzohet Djokoviqi: Ky ishte një gabim njerëzor
Tenisti Novak Djokoviq më në fund e ka pranuar gabimin se gjithçka që ka ndodhur këto ditë është faj i ekipit të tij, në veçanti agjentit të tij, lidhur me gabimin me vizë që iu anulua nga autoritetet australiane dhe ende nuk i është dhënë leja përfundimtare që të luajë në Australian Open.
Familja e tij bëri protesta të shumta duke insistuar se djali i tyre ishte ndalur padrejtësisht, por vet Djokoviqi përmes një sqarimi në “Instagram”, e ka pranuar se faji është i tyre.
Djokoviqi ka thënë se deklarata e pasaktë para udhëtimit të 1 janarit ishte “dorëzuar nga ekipi im mbështetës në emrin tim”.
“Agjenti im kërkon falje sinqerisht për gabimin administrativ për shënjimin e kutisë jo të duhur rreth udhëtimit tim të mëparshëm para ardhjes në Australi. Ky ishte një gabim njerëzor dhe qartazi jo i qëllimshëm”, ka thënë Djokoviqi, i cili ka ofruar të dhëna shtesë për qeverinë australiane për ta sqaruar çështjen e tij, por se nuk do të bëjë komente shtesë: “për shkak të respektit më të lartë për qeverinë australiane dhe autoritetet e tyre si dhe për procesin e tanishëm”.