Dorëzohet në Kuvend peticioni për hapjen e onkologjisë në Pejë
Shoqata e grave në luftë të kancerit të gjirit në rrafsh të Dukagjinit ka dorëzuar sot peticion në Kuvendin e Kosovës, me anë të të cilit kanë kërkuar realizmin e disa kërkesave.
Këtë peticion e kanë nënshkruar 12 mijë e 649 qytetarë. Kryetarja e Shoqatës së grave në luftë kundër kancerit në rrafsh të Dukagjinit, Naxhije Uka- Skënderi, ka thënë se kërkesë kryesore e kësaj shoqate drejtuar Kuvendit dhe Ministrisë së Shëndetësisë është hapja e qendrës onkologjike në Pejë.
“Kërkesa e parë e shoqatës sonë është të hapet një degë e onkologjisë në Pejë. Kërkesa e dytë është që të vjen së paku 1 herë në javë një reumatolog dhe një onkolog në komunën tonë. Kërkesa e tretë është që hormonoterapia të ndahet në Pejë. Kërkesa e katërt ka të bëjë me sigurimet shëndetësore me në fund të përfundojnë. Kërkesa e pestë është lirimi prej të gjitha pagesave dhe incizimeve të ndryshme që janë të nevojshme për zbulimet e hershme të kancereve të ndryshme, me qenë falas, për të tërë vitin për personat e paprekur”, ka thënë ajo.