Dorëzohet në Kuvend procedura për negocimin e kontratës për hidrocentralin e Skavicës
Qeveria shqiptare propozon një procedure të veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me kompaninë “Bechtel Internacional”, Inc., për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
Projektligj, i cili ka për qëllim miratimin e një procedure të veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me kompaninë “Bechtel Internacional”, Inc., për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës ka mbërritur në Kuvend.
Hartimi i këtij projektligji vjen pas memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kësaj kompanie, nënshkruar më 3 tetor 2020.
Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës për të cilin është gati projekti i fizibilitetit prej muajit qershor 2020 do ta shndërrojë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) në një aktor të rëndësishëm në bursën rajonale.
Hidrocentrali i Skavicës, ashtu si tre hidrocentralet e tjerë të kaskadës së lumit Drin do të operohet nga KESH.
Shqipëria importon rreth 100 milionë euro energji elektrike në vit dhe ndërtimi i Skavicës realizon uljen me 50 milionë dollarë të importit të energjisë.
Por, ekzistojnë edhe shanset për ulje të çmimit të energjisë për konsumatorin dhe rritje të investimeve pasi KESH do të ketë më shumë para të arkëtuara.
Procedura e negociimit për finalizimin e kontratës së fazës së parë do të zhvillohet nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare dhe do të fillojë brenda 5 ditëve nga dita kur shoqëria “Bechtel” do të dorëzojë pranë Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare propozimin zyrtar lidhur me kontratën e fazës së parë. Procedura e negociimit për fazën e dytë të kontratës do të zhvillohet nga Komisioni i Negociimit i krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave me përfaqësues të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe nga ministri të tjera të linjës ose organe të tjera sipas përcaktimit në këtë vendim.
Nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë vlerësohet se ky projektligj nuk hyn ndër aktet që bien ndesh me vendimmarrjen e KQZ-së, pasi, së pari, sikurse është referuar në këtë relacion, ky projekt është nisur që në muajin tetor 2020, me anë të nënshkrimit të marrëveshjeve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Gjithashtu, ky projektligj nuk synon dhënien e një të drejte me koncesion/PPP, sikurse është referuar në vendimin e KQZ-së, por për krijimin e hapësirës ligjore të kontraktimit direkt të shoqërisë “Bechtel” për projektimin dhe ndërtimin e HEC Skavicës, në përputhje me kushtet e parashikuara në projektligj.
Projekti i Qeverisë Shqiptare për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës gjeti mbështetjen e Qeverisë Amerikane, e cila ka shprehur angazhimin e drejtpërdrejtë, për të mbështetur Shqipërinë në këtë iniciativë kaq të rëndësishme.
Në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik për Projektet dhe Blerjet, mes Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë së SHBA-vë, ne fillim të muajit tetor 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe përfaqësuesi i kompanisë Bechtel, Justin Siberell, President i Rajonit të Europës dhe Lindjes së Mesme, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Nënsekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në lidhje me Projektin e HEC Skavicë.
Në dokumentin e nënshkruar theksohet rëndësia e Projektit të HEC Skavica, si një projekt me interes kombëtar, i cili do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do ta pozicionojë vendin tonë si qendër energjie për rajonin./ATSH