Dorëzohet në polici i dyshuari i dytë për therjen me thikë në Obiliq
Është dorëzuar në polici i dyshuari i dytë për vrasjen në tentativë që ka ndodhur të enjten e 5 janarit në Obiliq.
Policia njofton se i dyshuari është i mitur dhe i njëjti është intervistuar nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës.
“Sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, është intervistuar një person i dyshuar për veprën vrasje në tentativë, që ka ndodhë me datën 05.01.2023, në rrugën ‘Rasim Hashani’, në Obiliq, ku pas një përleshje, nga një mjet i mprehtë (thikë), ka mbetur i lënduar një person”.
“Kërkimet e vazhdueshme nga ana e policisë, kanë bërë që sot personi i dyshuar mashkull i mitur, të dorëzohet në polici”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, bëhet e ditur se pas intervistimit, në prezencë të avokatit mbrojtës dhe zyrtarit të qendrës për punë sociale, personi i dyshuar me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, lidhur me të njëjtin rast më 6 janar është arrestuar edhe një i dyshuar, të cilit policia njofton se i është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.