Dorëzohet në Polici i shumëkërkuari Sefë Fetoshi
I shumëkërkuari nga autoritetet e sigurisë, Sefë Fetoshi, është dorëzuar sot në Polici.
Siç mëson Sinjali, i njëjti pas intervistimit nga Policia, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë. Për çka akuzohet Fetoshi?
Një operacion policor i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, i zhvilluar më 28 mars, në disa lokacione në Prizren dhe Gjakovë, rezultoi me arrestimin e dy personave. Rasti i koduar si ‘Swis’ rezultoi me identifikimin e të dyshuarve për shitblerje dhe shpërndarje të drogës, por jo të gjithë u arrestuan.
Tre personat që ishin cak i Antidrogës ishin Kushtrim Bytyqi, pronar i lokalit ‘Swiss’, Enis Shtavica dhe Sefë Fetoshi.
Ky i fundit, pronar i ‘Velunia Club’ në Prizren pati arritur që të shpëtojë nga prangat. Ai, atë kohë edhe pse kishte arritur që t’i shmangej arrestimit, ishte shfaqur në rrjete sociale.
Në disa video që i pati publikuar në llogaritë e tij, ai shihej se i njëjti nuk ndodhej në Kosovë, e madje kishte çuar mesazhe përmes këngëve që ia ka bashkëngjitur pamjeve.