“Dorëzohet” Turqia, pranon kërkesën e SHBA për një armëpushim 5 ditor
Turqia ka pranuar një armëpushim 5 ditor, pas këmbënguljes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti amerikan, Donald Trump foli sot për lajme të mira të ardhura nga Turqia ku zëvendëspresidenti, Mike Pence u takua për disa orë me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në përpjekje për të arritur një armëpushim në ofensivën turke në Siri. “Miliona jetë do të kursehen”, theksoi presidenti i SHBA-së pa dhënë shumë detaje.
Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence, u takua me presidentin turk Recep Tayip Erdogan të enjten në përpjekje për arritjen e një armëpushim në Siri pasi Ankaraja refuzoi presionin ndërkombëtar për të ndaluar ofensivën kundër forcave kurde.
Takimi Erdogan-Pence zgjati për rreth një orë e 20 minuta, më shumë nga sa ishte planifikuar, dhe më pas të dy atyre iu bashkua edhe sekretari i shtetit Mike Pompeo.
Vizita vjen një ditë pasi Erdogan premtoi se do të vazhdojë operacionin që u lehtësua pas tërheqjes së trupave amerikane nga Siria e veriut. Para këtij takimi, një letër jo e zakontë nga presidenti amerikan Donald Trump, u publikua, dhe në të, ai paralajmëronte Erdoganin: Mos u trego budalla. E dërguar në ditën kur Turqia nisi operacionin e saj në Sirinë veri lindore, Trump shkruante se po rrezikonte që historia ta etiketonte atë një djall.
“Ju nuk do të donit të ishit përgjegjës për masakrimin e mijërave njerëzve dhe unë nuk dua të jem përgjegjës për shkatërrimin e ekonomisë turke” shkruan trump në letër. Në këmbim, Erdogan, tha se letrën e presidentit amerikan, e kish hedhur në koshin e plehrave./shqip