Doshlaku: Largimi nga Feronikeli, i vështirë
Lulzim Doshlaku është larguar pas shtatë vjetësh nga klubi i zëmrës, Feronikeli. Ai nuk ndien urrejtje për klubin, por ndihet krenar që ka arritur suksese të mëdha me këtë klub. “Me këtë skuadër jam shpallur tri herë kampion, dy herë fitues i Kupës dhe Superkupës së Kosovës”, ka thënë Doshlaku, i cili me skuadrën e re, Dukagjinin e Klinës, synon mbijetesën në Superligë.
Futbollisti Lulzim Doshlaku në afatin kalimtar të janarit është larguar nga Feronikeli pas shtatë vjetësh. I kontaktuar nga redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re”, futbollisti ikonë i klubit nga Drenasi ka thënë se largimi nga klubi i zemrës nuk ka qenë aspak i lehtë. Megjithatë, mbrojtësi është krenar me faktin se ka fituar të gjithë troftë e mundshëm në futbollin e Kosovës me “Niklin” dhe ka marrë pjesë në garat ndërkombëtare.
“Jam larguar pas shtatë vjetëve fantastike të kaluara në skuadrën e Feronikelit. Kemi fituar gjitha trofetë e mundshëm në futbollin e Kosovës, gjithashtu vitin e fundit kemi marrë pjesë në garat evropiane. Me këtë skuadër jam shpallur tri herë kampion, dy herë fitues i Kupës dhe Superkupës së Kosovës. Feronikeli është në zemrën time sepse është klubi i vendlindjes sime dhe kam kaluar momentet më të mira në karrierën time. Vendimi ka qenë jo i lehtë në fillim, mirëpo kam kaluar në formë huazimi te Dukagjini dhe falënderoj klubin që e ka bërë të mundur këtë kalim”, ka thënë Doshlaku, i cili ka kontratë me skuadrën e “Niklit” deri më 2021. “Jam shumë i kënaqur me trajtimin e klubit, sepse nuk më ka larguar, mirëpo trajneri i ri nuk ka llogarit në shërbimet e mia dhe të disa shokëve të mi për shkak se ai e ka parë ashtu të arsyeshme dhe nuk ka pasur ndonjë shpjegim për këtë situatë nga ana e trajnerit. Falënderoj pa masë klubin dhe presidentin Naser Ramaj dhe gjithë trajnerët dhe bashkëlojtarët që kemi kaluar këto vite fantastike. Gjithashtu, e falënderoj edhe ish-kryesinë e klubit që ka qenë më herët, në veçanti drejtorin Artan Berisha”, ka deklaruar Doshlaku për “Epokën e re”.
Mbrojtësi Doshlaku është shprehur i kënaqur me mikpritjen në skuadrën nga Klina, Dukagjinin. Lidhur me synimet në sezonin pranveror, ai ka thënë se mbijetesa është një mision i vështirë, por jo i pamundur për t’u arritur.
“Te Dukagjini më kanë pritur shumë mirë. E falënderoj drejtorin Fabian Veseli dhe gjithë stafin e trajnerëve, në krye me Severin Elezaj. Gjithashtu, mikpritja e bashkëlojtarëve ka qenë shumë e mirë. Synim kemi mbijetesën, edhe pse është mision i vështirë, por jo i paarritur, dhe plasmanin në Kupën e Kosovës sa më lart që të jetë e mundur. Te Dukagjini do ta jap maksimumin si çdoherë dhe shpresoj të paraqitem mirë dhe t’i arrijmë objektivat e klubit. Kemi një ekip mjaft të mirë dhe kompakt, me lojtarë kualitativë dhe të dëshmuar në Superligën e Kosovës. Është një klub shumë korrekt. Shpresojmë të na shpërblehet puna dhe angazhimi që e kemi bërë prej fillimit të stërvitjeve dhe përgatitjet që i kemi bërë, ku kemi zhvilluar lojëra mjaft të mira, me disa kundërshtarë”, ka përfunduar Doshlaku.
/Veton ZYMBERI/