Dosja e çështjes kundër Salih Mustafës i kalohet trupit gjykues me 7 maj
05 maj 2021
| 20:58
Dosja e çështjes kundër Salih Mustafës do të jetë gati për t’iu kaluar trupit gjykues më 7 maj të këtij viti.
Këtë e kanë konfirmuar sot Dhomat e Specializuara.
“Sot, Gjykatësi i Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes kundër Salih Mustafës do të jetë gati për t’ia kaluar trupit gjykues më 7 maj 2021”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Salih Mustafa u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, ndërsa ai akuzohet për krime lufte.
Mustafa ishte angazhuar në shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.
Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja “BIA” deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.