Dosja e prokurorisë: Çfarë ka deklaruar Mihali për Nagip Krasniqin dhe grupin ku ishte edhe Kurti?
Prokuroria Speciale e Kosovës gjatë së premtes ka ngritur aktakuzë të re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.
Portali “Betimi për Drejtësi” ka publikuar aktakuzën, derisa aty flitet edhe për dëshminë e Dejona Mihalit, gjatë paraqitjes së saj në prokurori.
“Sqaron se të pandehurin Nagip Krasniqi e kishte njohur në kuadër të këtij komiteti nga viti 2009-2010 si ekspert të kësaj fushe. Ndërkaq, pas emërimit të të njëjtit si kryeshef ekzekutiv në KEK, e kishte takuar një apo dy herë dhe kishin diskutuar lidhur me krizën energjetike. Dëshmon se në emër të Lëvizjes Vetëvendosje kishte kërkuar informacione mbi gjendjen energjetike dhe se përmes platformave sociale WhatsApp, Signal, Viber, e-mail dhe telefon kishte komunikuar disa herë, ku kishin diskutuar për gjendjen energjetike, komunikime lidhur me disa sinjalizime nga persona anonim që kishin marr lidhur me remontin e Kosovës A, por edhe disa artikuj nga portalet elektronike”, citohet se ka deklaruar Mihali.
Ajo madje, ka folur edhe për një grup në “Whatsapp”, ku bënte pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
“Më tutje sqaron se shkëmbimi i informacioneve ishte brenda një grupi kolegial dhe të bashkëpunimit të mëhershëm dhe se nuk kishte të bënte me pozicione duke shtuar se kjo ishte puna e saj e përditshme si koordinatore e Lëvizjes duke qenë se kishte marr pjesë në hartimin e programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, shton se nuk i kujtohen të gjitha bisedat dhe konsultimet sepse nuk kishin qenë në vëmendjen e saj”, citohet të ketë deklaruar Mihali.