Dosja e Prokurorisë: Kurti aprovoi e nënshkroi kërkesën e kundërligjshme të Lipovicës për furnizim me rezerva shtetërore
Në dosjen e Prokurorisë për rezervat shtetërore, përmendet edhe një vendim që e mban nënshkrimin e kryeministrit, Albin Kurti. Prokuroria në dosje tregon se si Irfan Lipovica në mënyrë të kundërligjshme kishte bërë kërkesë për shmangien e procedurave të prokurimit për furnizim me rezerva shtetërore, kërkesë të cilën e ka aprovuar dhe nënshkruar numri një i Qeverisë, Albin Kurti.
Irfan Lipovica dyshohet se në cilësinë e Zëvendësekretarit në MINT ka tejkaluar autorizimet ligjore duke kërkuar nga Qeveria anashkalimin e procedurave ligjore të prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.
Prokuroria dyshon se Lipovica bëri këtë kërkesë për të kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit.
Sipas Prokurorisë, vendimi i Qeverisë i muajit shkurt 2022, ishte marrë duke pas për bazë kërkesën e kundërligjshme të Lipovicës për anashkalimin e procedurave ligjore për blerjen e rezervave.
Lipovica ngarkohet se në mënyrë të kundërligjshme ka formuar edhe një Komision për Negocimin e Kontratave për Furnizim me Mallra të Rezervës Shtetërore për vitin 2022 me të cilin ka anashkaluar procedurën e hapur të prokurimit publik.
Megjithëse komisioni ishte formuar kundërligjshëm, Prokuroria e ngarkon Lipovicën se kishte anashkaluar dy anëtarët e Komisionit dhe e kishte përfshirë Ridvan Muharremin në rolin e ndërmjetësuesit mes Ministrisë dhe Operatorëve Ekonomikë nga Turqia për blerjen e grurit.
Sipas Prokurorisë, pavarësisht se pagesat ishin bërë 100 për qind me operatorët ekonomikë nga Turqia e Polonia, gruri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Porosia prej 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer nuk kanë ardhur fare pavarësisht se pagesat ishin bërë avans.
Ndërsa për gjithë grurin e kontraktuar ishin paguar 4 milion e 834 mijë e 778 euro derisa në Kosovë nuk kanë mbërritur 52.5 tonë grurë.
“Pavarësisht se pagesa në formë të avansit është realizuar në tërësi, në Kosovë, si vend i destinimit, janë sjell vetëm 9.947.5 tonë grurë ose 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar. Ndërsa, lloji vaji dhe sheqeri nuk janë sjell fare. Si rezultat i këtyre veprimeve është dëmtuar interesi publik në lartësi prej 601 mijë e 940 euro”, ka konstatuar Prokuroria.
Lipovica ngarkohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga neni 414 i Kodit Penal.