Dr. Cuculi: Stentat në zemër – nuk janë zgjidhje

30 shtator 2023 | 14:56

Shefi i Klinikës së Kardiologjisë në Lucern të Zvicrës, Prof. dr. Florim Cuculi, ka ngritur shqetësimin e vendosjes së Stentave në mënyrë jo të duhur, gjë që shkakton komplikime të tjera në organizëm.

“Kur kam ndonjë intervenim të vështirë, nuk bëj gjumë fare natën, sepse pacienti ta beson zemrën e tij, jetën e tij. Kjo është diçka shumë e madhe për mua”, tha dr. Florim Cuculi, shef i Kardiologjisë në Klinikën e Lucernit, që është Klinika më e madhja pas asaj të Bernit dhe trajton numrin më të madh të rasteve. Te shqiptarët infarktet në zemër janë të shpeshta edhe në mosha të reja. Shkaktar është më së shumti duhani, thotë ai.

Dr. Cuculi ishte në Prishtinë dhe një simpozium të mjekësisë ku u trajtuan sëmundjet kronike jo ngjitëse dhe si kirurg intervent ai shfaqi shqetësimin e tij për stentat që vendosen në mënyrë jo të duhur.

Në një intervistë për Radio Kosovën, dr. Florim Cuculi ndër të tjera tha se është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë që vendosja e stentës ndonjëherë mund të bëjë edhe më keq.

“Është shumë me rëndësi të diferencohet kjo problematikë. Tek pacientët që kanë sëmundje kronike, pra pacienti është në shtëpi, nuk ka shkuar në spital me infarkt edhe vërehet që ka arteriet e ngushtuara. Për momentin nuk kemi evidencë që çdo ngushticë që ka pacienti të arteriet mund të implantohet një stentë. Në fakt kemi indikacione që t’ia përkeqësojmë gjendjen, e jo ta stabilizojmë. Kjo vlen pra për pacientët që janë stabil. Ndërsa pacientët që shkojnë në spital me infarkt, tashmë ata kanë një situatë tjetër dhe ata kanë nevojë për implantimin e stentave. Kështu që është më rëndësi që popullata ta dijë që jo çdo ngushticë në një arterie duhet të pasohet me implantimin e një Stenta. Kjo varet a ka pacienti simptoma apo jo”, thotë dr. Cuculi.

Ideja që vendosja e sa më shumë stentave e përmirëson shëndetin e zemrës, është gabim, thotë ndër të tjera Prof. Florim Cuculi, i cili sugjeron qytetarët e Kosovës në veçanti, që të konsultojnë mjekun kardiolog sapo të kenë simptoma.

“Pacienti ka simptoma, si shtrëngim në gjoks, lodhje dhe problem me frymëmarrje. Në qoftë se kardiologu mendon se pacienti mund ta tejkalojë këtë situatë me medikamente është mirë. Nëse medikamentet nuk funksionojnë, atëherë pacienti trajtohet në mënyrë invazive, pra me stenta apo me bypass. E theksova këtë, sepse unë e di që Kosova është një vend i varfër, një sistem shëndetësor që nuk ka resurse siç kemi ne aty ku punoj unë në Zvicër. Shpeshherë pacientët mendojnë se duke implantuar shumë stenta, do të bëhen më mirë. Por, ndonjëherë implantimi i shumë Stentave, jo që nuk të bën mirë, por mund të bëjë edhe keq”.

Ai thotë se në Klinikën e tij në Lucern aplikohet edhe metoda tjetër, ajo e implantimit të balonave me ilaç.

“Shpesh i publikoj këto praktika edhe në rrjetet e mia sociale, në instagram edhe në linkting dhe iu them se kjo është një metodë e mirë, sepse ardhmëria do të jetë pa implantimin e stentave. Por kjo do të marrë edhe rreth 10 vjet kohë. Ne e trajtojmë infarktin e zemrës në një mënyrë më moderne. Pacienti vjen dhe në raste kur është e nevojshme, ne e implantojmë vetëm një stentë vetëm sa të stabilizohet dhe para se ta lëshojmë në shtëpi pacientin, ia bëjmë një koronografi përsëri dhe ia implantojmë stentën në mënyrë më optimale. Kjo është një metodë e re, që nuk praktikohet, e aq më pak të jetë rutinë, në botë. Pra, pacienti në atë rast është më stabil dhe mund t’i implatohet stenta më mirë. Ne kemi bërë një studim dhe e kam publikuar në një revistë prestigjioze angleze dhe aty në një mënyrë revolucionohet trajtimi i infarktit. Ne përqendrohemi në kualitetin e vendosjes së stentës, sepse duam ta bëjmë punën mirë. Por, kur pacienti të vjen me infarkt ti nuk e bën punën mirë, sepse duhet t’i japësh pacientit kohë. Kur ai rehabilitohet kthehet atëherë edhe mjeku ka më shumë kohë, punon në qetësi dhe implanton Stentën mirë. Dua të cek edhe njëherë se një Stentë i implatuar keq është problem për pacientit, sepse shumica e stentave që ngushtohet ose mbyllen janë problem edhe i vendosjes jo në mënyrë të duhur në kohën kur është implantuar”.

Te shqiptarët infarktet në zemër janë të shpeshta edhe në mosha më të reja, apo fare të reja. Dhe problem për këtë janë duhani, apo tek adoleshentet dhe të rinjtë, shkaktar është edhe droga, thotë ai.

“Shqiptarët atakohen në moshë të re dhe fajin e ka duhani. Në Prishtinë për shembull, nuk mund të gjesh një vend ku nuk sheh shumë të rinj duke konsumuar duhan. Kjo është tragjikja e popullit tonë, për fat të keq, nuk po korrigjohet. Në Zvicër shqiptari me probleme të zemrës vjen në moshën 43 apo 44 vjeçare, ndërsa zvicerani vjen në moshën 64 vjeçare e tutje. Këtu fajin nuk e ka vetëm gjenetika, por duhani është problem ynë më i madh. Duhani është armiku më i madh i zemrës, sepse asnjëri nga ne nuk e dimë se çfarë kapaciteti gjenetik kemi. Ka njerëz që pinë duhan dhe nuk u ndodh gjë. Por, nëse sheh pacientë nën 50 vjeç në Zvicër aty shpesh do të gjesh mbiemra shqiptarë dhe kjo nuk është e rastit. Nëse marr listën në Klinikën time, pacientët nën 50 vjeç janë të shumtën herëve: Berisha, Krasniqi,…Zakonisht thuhet se shqiptarët kanë stres, por edhe zviceranët kanë stres. Tashmë është e vërtetuar që duhani ka efekte shumë negativ për shëndetin e zemrës. Duhet të bëhen ende shumë fushata që të vetëdijesohen njerëzit. Në asnjë vend të botës nuk konsumohet duhani më shumë se tek shqiptarët, sepse unë kam vizituar edhe shumë vende në botë, por këtu konsumohet më shumë duhan. Ndërkaq, te moshat 15 deri në 30 vjet zakonisht infarktet ndodhin psh nga ndonjë anomali e arteries koronare, por duhet të mendohet shpeshherë edhe nga konsumimi i drogës. Kokaina shpeshherë shkakton infarkt edhe te moshat e reja. Kur na vjen një pacient me 20 vjet me infarkt ne i bëjmë testin për drogë, nëse ai nuk tregon vetë. Kemi raste shumë edhe në Klinikën tonë”.

Edhe me këtë rast, shefi i Klinikës së Kardiologjisë në Lucern në Zvicrës, Prof. Dr. Florim Cuculi, shprehu gatishmërinë të ndihmojë edhe Klinikën e Kardiologjisë në QKUK dhe të kontribuojë edhe me ligjërata në Fakultetin e Mjekësisë. Por siç tha ai, mungon një organizim i mirëfilltë i institucioneve profesionale në Kosovë, që të ftojnë ekspertë të fushave të ndryshme që jetojnë e veprojnë në mërgatë dhe të shfrytëzojnë gjithë atë potencial të profesionistëve, në mënyrë që të ndihmohet shëndetësia, por edhe fusha të tjera në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër vjet të martuar dhe dy fëmijë: Dukej se gjërat…