Dr. Ornela Radovicka për librin e Bardhyl Mahmutit: Flet me dëshmi e fakte mbi gjenocidin në Kosovë

06 qershor 2024 | 12:27

Shkruan: Ornela Radovicka  nga Qendra Albanologjike “A. Bellusci” mbi kulturën dhe gjuhën arbëreshe

“Gli squadrone della morte”/ “Eskadronët e vdekjes”, autor Bardhyl Mahmuti

Librin, të përkthyer në italisht “Gli squadrone della morte” na e dhuroi arkitektja, dhe poetja Shqipe Bytyqi, të cilën e njoha gjatë një aktiviteti ku Qendra Albanologjike A. Bellusci, zhvilloi me LKSh-në në mërgatë kryesuar nga zoti Musa Jopulli dhe sekretar i saj Mentor Thaçi, koordinator për Zvicër, Rexhep Rifati, i shoqëruar nga koordinatori i ShSh-së me MP në Zvicër dhe ai për Bavari, z. Vaxhid Sejdiu dhe z. Bashkim Halilaj e profesori Hazir Mehmeti, hulumtuesi dhe studiuesi, autor i shumë romaneve dhe midis tyre libri “Pranvera të helmuara”, por edhe disa mësues, mjekë, si edhe shumë poetë, artistë e krijues.

Në fakt, unë këtë libër e kisha hasur disa muaj më parë, dhe kisha qenë dëshmitare në shpërndarjen e tij, falë e një udhëtimi kryer në Piana degli Albanesi së bashku me mikun tim Bac Rexhep Rifati, i cili ishte i shoqëruar nga dy djem fisnik: aktorët Ramadan Morina dhe Veli Genc Berisha.

Gjatë atij udhëtimi kujtoj një episod, që ka lidhje me këtë libër. Ishim ulur në një bar pak metra larg nga ku do të vendoset shtatorja e Skënderbeut, dhuratë nga Mërgata Shqiptare, respektivisht, nga shoqata Hora e Skënderbeut me qendër në Zvicër, punuar nga artisti Gëzim Muriqi, dhe sytë më shkuan tek një pikturë ku ishte vetëm “Lulëkuqja” ishte e njëjtë me simbolin e “Gjenocidit” kryer mbi popullin shqiptar të Kosovës (Dardanisë). Pyetëm kamerierin se si gjendej kjo pikturë, dhe na tha se kishte qenë një shqiptar i Kosovës i cili kishte vizituar Horën dhe ua kishte dhuruar. Mjaftoi kjo fjalë dhe kësaj pikture iu shtua edhe ky libër, të cilën djemtë Berisha dhe Morina kishin sjellë si promovim. Kërkuan prej kamerieres që librin ta vendosnin në një vend të dukshëm, dhe që ta lexonte kush e kërkonte.

Por le të kthehemi tek libri që më dhuroi Shqipja. Në mbrëmje shfletoj librin “Gli Squadroni della morte”, autori Bardhyl Mahmuti,  e përkthyer nga Ismete Selmanaj-Leba. Libri kishte dalë në dritë falë Qendrës së Gjenocidit në Kosovë, Plagë e hapur.

Ky libër i cili duket disi voluminoz, nuk ka asgjë të fryrë, ai referon kronika, fakte mbi gjenocidin në Kosovë gjatë luftës kundër regjimit serb. Ky libër është plot me nota, referime, toponime, data, qytete, fshatra, akronime, por edhe personalitete me emrat e tyre. Perimetri i këtij libri e kalon rrezen dhe vërshon shtjellën e saj drejt Hagës.

Libri është i ndarë në disa kapituj, ku bënë të penetrosh midis kronikës, por edhe historisë. Është shtjelluar në një stil artistik, të rrjedhshëm, informativ, dhe shumë emocional, protagonisti është Z. Mifi..L

Personazhet sipas autorit nuk janë fiksione, janë të vërtetë, por shpesh nuk paraqiten me emrin e tyre. Autori duke qenë dëshmitarë okular ka futur në brendësi të këtyre vuajtje, që ka përjetuar nëpër burgjet e Jugosllavisë. Por qëllimi kryesor është të del në dritë gjenocidi i saj, që shpeshherë jo vetëm që nuk thuhet, nuk pranohet, por edhe mohohet.

Libri, siç thash më lart na u dhurua në italisht dhe mendoj se përkthyesja zonja Ismete Sulejmanaj-Leba ka bërë vërtet një punë shumë të mirë për t’i mos humbur emocionin dhe informacionin këtyre faqeve të dhimbshme edhe në gjuhën italiane.

“Squadroni della morte”, përqendrohet në atë parabolë e ashtuquajtura “Terza Jugosllavi” kur u vu në zbatim solucioni për çështjen shqiptare, në analogji me atë me “Terzo Rieche”, çështja hebraike.

Në këtë libër citohen organizatat ushtarake, paraushtarake, formacione për misione të bazuara në represion, autoritarizëm, eksponentë, autoritete, rebelë, punonjësit me metodat e ekzekutimeve arbitrare e jashtëgjyqësore ku zakonisht karakterizohen egërsia e brutaliteti, duke përfshirë torturën, përdhunimin, rrëmbimin, etj.

Autori nuk limitohet dhe nuk është “nacionalist i sëmurë”, këtë e shohim tek parathënie ku përmend me respekt intelektualët serbë si Natasha Kandiq, Sonja Biserko, Miroslav Filipoviq, Slavko Çuruvija dhe të gjithë atyre qytetarëve të ndershëm serbë të cilët kanë ngritur zërin kundër këtij gjenocidit në Kosovë.

Mbizotërojnë në faqet e këtij libri manipulimet e krimeve, martirë, emrat e të cilëve nuk janë thjeshtë listë, apo shprehje, por ata frymojnë dhe rrëfejnë në ato trupa pa jetë. Përmend rastin e kamionët frigorifer, mbushur me kufoma shqiptarësh, ku trupat pa jetë dukeshin dhe në anët e rimorkjes dilnin ujëra. Në portën e karrocerisë shkruhet PIK PROGRES Eksoprtna Klanica\Prizren (Eksortohet mish i therur). E për këtë akt nuk kursehet autori dhe përfshin analistin e këtij krimit Boshko Radojkoviq, i cili përpara gazetarëve justifikon lyerjen e portës së kamionit, me arsyetimin se i kishte ndodhur një aksident me një tjetër kamion, i cili po përcillte klandestinët kurd. Ky rrëfim ishte i pabesueshëm-thotë autori, sepse të gjithë e dinin që klandestinët hynin në Rumani e kalonin tranzit në provincën e Timokut, në pjesën lindore të Serbisë.

Autori na njeh edhe me deklarata të shfarosjes së popullit shqiptar, siç është ajo në Tërnjë të Suharekë, ku nuk duhet të linin të gjallë asnjë shqiptar. Në analogji me këtë bien ndër mend sa e sa rezoluta të këtij tipi kemi dëgjuar, si ajo e princit Serb: Merita më e madhe ndaj shtetit dhe kombit Serb do ti ketë ai, i cili do të arrijë të zhdukë e të shpërngulë më shumë shqiptarë.

Urrejtja nuk mjafton vetëm të dëbojnë këtë popull që është autokton në territorin e tij i cili zotëron fisnikërinë më sublime të qenies njerëzore atë që nuk ka pushtuar asnjë popull në historinë e tij, ndoshta sepse nuk ishte e nevojshme sepse ai ishte autokton në këtë gadishull, i lindur shqipfolës. Ky popull i dalluar në shekuj për mikpritje, bujari e krenari kaq i urryer nga politika serbe.

Një urrejtje aq e madh ndaj këtij populli sa shkon më tutje nga dosa e urrejtjes dhe kalon në atë të krimit të egër, deri therja për së gjalli. Statistikat numërojnë rreth 70 mijë të therur.

Një tjetër martire, lexojmë në faqet e këtij libri, është Habiba, një grua shqiptare e Kosovës, shtatzënë 8-muajshe, pjesëtare e familjes së Musli Gashit ku gjendeshin edhe 15 vajza të reja me të. Budimir Spashik, drejtori i Agjencisë “Higjiena” i Prizrenit, u kishte dhënë një ndihmë të madhe “Skuadrës së spastrimit të kampit të luftës”. Skuadra, pasi i kishin përdhunuar, i kishin çuar tek pusi i Stanishës për të parë një nga spektaklet më çnjerëzore që njeriu mund t’i bëjë njeriut. Njeri prej tyre merr Habibën dhe me bajonetën i çan barkun. Fut duart dhe i nxjerrë që andej fëmijën sikur të ishte një triumfim, thotë autori.

Vëllezër dhe motra, fjala “therur” nuk ka atë asonancë tangjente, por ai term përmban aksiomën më çnjerëzore, të natyrës e rruzullit ku jetojmë. As te bota e kafshëve më të egra nuk e kryhen këso akte për urrejtje. Kafshët shqyejnë njëri tjetrin për mbijetesë, qenia njerëzore kryen aktin për urrejtje, homofobi, e deri në gjenocid siç iu bë popullit shqiptar të Kosovës!

Ecin, karvan, burra me plisa mbi kokë, me tirqi e të mbathura, gratë që fshijnë lotët, i mbajnë në gji fëmijët e tyre. Janë tragjike, të dhimbshme kur lexojmë konsekuenca të tilla.

Në faqet e këtij libri lexojmë lista të trupave pa jetë si ajo e Eron 1 vjeç, Redon 2 vjeç, Granit 2 vjeç, Genci 3 vjeç, Ismeti 3 vjeç, Doruntina 3 vjeç, Altini 9 vjeç, Mirati 9 vjeç, Hanëmshahja 11, Merita, Edon, Drilon, Kushtrim, Herolinda, Majlinda 12-13 vjeç etj.!

Në shekuj i njëjti skenar, palkoshenik i trilologjisë: dëbim, asimilim, shfarosje.

Kur persekutimi i individëve nuk bëhet për shkak të veprimeve të tyre, por bëhet për shkak sepse ai popull i përket një etnie autoktone dhe qëllimi specifik për këtë popull ishte “shpërbërja shoqërore si dhe shkatërrimi biologjik deri në farë! Nëse ky akt nuk quhet gjenocid, atëherë çfarë është ndryshe?!

Ajo që nuk duhet të harrojmë është se nëse Kosova sot është e lirë, duhet të kujtoj se për të dikush u vra, dikush u dogj, dikush u përzu me forcë, dikush la atdheun, shumë fëmijë eshtrat i kanë në gropa si varre kolektive, si ai i Kroit, shumë fëmijë u zhdukën, shumë u helmuan, shumë u bënë martirë.

Këto gjëra populli shqiptar i Kosovës dhe ne shqiptarët në përgjithësi, nuk duhet ti harrojmë, për të vetmen arsye se janë jetë njerëzish, të cilët ishin në tokat e të parëve të tyre, nuk shkuan ti binin tjetrit më qafë, dhe është e rëndësishme të shkojmë më tutje se ata fëmijë sot që nuk u bënë prindër, gjyshër, nuk përfaqësojnë individin, por familje, komunitet, etni, popull. Pikërisht për këtë duhet të kujtohen e kurrë mos të harrohen.

Mendoj, se lufta është një tragjedi për çdo popull që mund t’i bjerë për pjesë, por kur luftën ta bëjnë, kur ti je autokton në tokën tënde, siç i ra për pjesë popullit shqiptar, atëherë kjo nuk është më luftë për tu pasuruar, luftë për liri, e kundërta quhet shfarosje, gjenocid.

Kushdo që e përkufizon luftën si akt “të nevojshëm”, është një kriminel, por kushdo që nis “luftën” për të mbrojtur atë tokën që të përket, që kur lindi njerëzimi është akti më sublim që bënë për mëmëdheun, për kombin.

Faqet e këtij libri të kujtojnë Auschwitz-in që bota mbarë njeh, por që duhet të njohin edhe gjenocidin e Kosovës!

Përfitoj që të përmend se ky libër së bashku edhe me vepra të tjerë që i përkasin së njëjtës specifikë: “A vriten engjëjt” i autores Hanumshahe Ilazi, ku trajton vrasjet barbare të 1 322 fëmijëve, që ndodhën gjatë luftës së fundit në Kosovë, dhe “Pranverë e Helmuar” e autorit Hazir Mehmeti, vepra që meritojnë të zënë vend në kurrikulat e antologjisë shqiptare.

Më në fund dua të shtoj se tematika e gjenocidit duhet të jetë një temë aktuale. Në datën 1 maj 1999, At Bellusci bëri një denoncim publik duke shkruar në revistën e tij “Lidhja” një artikull: “Kosova Deportazione e Sterminio come a Dachau”. Një revistë si “Lidhja” në tri gjuhë të huaja, e cila shpërndahej në pesë kontinente, do ishte një zë në këtë oqean vuajtjesh. Nuk ndalet At Bellusci dhe shkruan një tjetër artikull të fuqishëm “Kosova Olocausto della memoria”. Ky arbërsh që gjithmonë Kosovën e ka patur në shpirt dhe që është edhe bir i saj, ishte largpamës, me një vizion të largët, që lufta në Kosovë nuk ishte thejsht një luftë për pasuri e territor, por ishte një “GJENOCID”, dhe këtë ai e ka shprehur që në fillim të luftës kur shikonte me sy të tij se çfarë po ndodhte në Kosovë. Në vitin 1989 në revistën e tij “Lidhja” boton një dossier mbi ngjarjet në Kosovë, po ashtu edhe një rezolutë, ku marrin pjesë arbëreshë nga të gjitha krahinat e Italisë përfshirë edhe Piana degli albanesi!

Gjenocidi, nuk minimizohet dhe as nuk harrohet. Gjenocidi kërkon vetëm drejtësi.

Në një gjenocid shuhet një popull dhe kjo nuk duhet të ndodh kurrë!

Falënderoj znj. Shqipe Bytyqi për këtë dhuratë bërë Qendrës sonë.

 

                                 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lojërat Olimpike “Paris 2024” po afrohen, kurse ekipi olimpik i…