Dr. Shukrije Rama përfaqëson Kosovën në konferencën për shkencat e edukimit në Tunizi
Organizuar nga American – Eurasian Network for Scientific Information, gjatë javës së tretë të muajit prill, në Tunis të Tunizisë së Afrikës Veriore, është organizuar konferenca botërore qëllimi i së cilës ishte të ofrojë një forum gjithëpërfshirës global me ekspertë botërorë të komunitetit akademik për të shkëmbyer ide dhe për të paraqitur rezultatet e hulumtimeve në fushën e shkencave të edukimit.
Në këtë konferencë, nga Kosova ishte e ftuar Dr. Shukrije Rama, e cila ishte përzgjedhur nga Këshilli organizativ i konferencës si ligjëruese kryesore, me ç’rast trajtesa e saj ka përcaktuar temën qendrore të kësaj konference.
Tema e cila u prezantua nga Dr. Rama titullohej: “Performanca e profesorëve për mësimdhënie efektive”.
Dr. Shukrije Rama, edhe më herët ka përfaqësuar Kosovën në nivel botëror në fushën akademike.
Vitin e kaluar Dr. Rama ka përfaqësuar Kosovën në Universitetin e Libanit, në Beirut, me ligjëratën e saj akademike me temën “Transformimi digjital në arsim”, pastaj në Universitetin e Edukimit në Lahore të Pakistanit ka prezantuar temën “Shkenca përtej klasave”, ndërkaq në Pekalongan të Indonezisë ka prezantuar temën “Qëndrimet e studentëve ndaj arsimit të lartë” si dhe në universitete tjera në Evropë e përtej.
/Epoka e re/