Dr. XHEVAT DEMIRI ËSHTË SIMBOLI I MJEKUT TE USHTRIVE ÇLIRIMTARE

10 maj 2019 | 11:10

Ismet Sylejmani

Nderimi për Mr. Dc. Dr. Xhevat Demiri nga ana e ish-komandantit të lavdishëm të Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, kryeministrit të Kosovës Ramsh Haradinaj, është ngjarje e madhe jo vetëm për doktorin e madh dhe të nderuar, por për familjen e fisin e tij dhe për Zonën Operative të Karadakut të UÇK-së dhe për tërë Anamoravën!

Doktor Xhevati në të kaluarën e tij ka qenë jo vetëm doktor që në mjekësinë e Kosovës ka qenë totalisht në anën e shëndetit të popullit, por ka qenë i përfshirë edhe në të gjitha proceset politike atdhetare e revolucionare që i ka kaluar populli ynë në ish-jugosllavi.

Fillimi i shembjes së perandorisë jugosllave mjekun patriot dhe atdhetar gjilanas e gjen sikur gjithmonë jo vetëm në anën e interesave të popullit, por edhe në rrethin e atyre bijve të vendosur për t’u rreshtuar në elitën e udhëheqjes për ndryshime përparimtare e demokratike!

Dr. Xhevat Demiri është në mesin e intelektualëve të cilët bëjnë pjesë në korpusin kualitativ të shqiptarëve që pa hile e me dashuri të madhe vendoset në frontin politik e kundërshtues të shqiptarëve në ish-Jugosllavi e kundër segregacionit serb, pra dr. Xhevati ishte në pjesën e udhëheqjes së Degës së LDK-së në Gjilan në vitin 1990/91!

Dr. Xhevat Demirin, lufta e UÇK-së e gjeti në këmbë e të gatshëm për të vazhduar luftën kundër Serbisë pushtuese jo vetëm me politik por edhe me mjete të tjera të lejuara e të pranuara ndërkombëtarisht.

Sikur edhe në të kaluarën që ishte në anën e shëndetit të popullit shqiptar e në anën e politikës puro shqiptare, edhe kësaj radhe ishte në anën e shëndetit jo vetëm të popullit por edhe të bijve të tij të rreshtuar në radhët e UÇK-së.

Dr. Xhevat Demiri ishte adresa zyrtare shëndetësore e ushtarëve të Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së sikur edhe dr. Binazë Krasniqi-Kadriu dhe dr. Fatmir Poroshtica!

Forcat pushtuese serbe dr. Xhevatin e burgosin në Gjilan dhe e internojnë në Serbi, kurse vihen në ndjekje të dr. Binazës dhe dr. Fatmirit!

Dr. Xhevat Demiri është simboli i mjekut të ushtrive çlirimtare, sepse këtë mision e vazhdoi edhe për luftën që u zhvillua nga UÇPMB-ja në Luginën e Preshevës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.

Në shenjë respekti e nderimi pas përfundimit të luftës e pas çlirimit të Kosovës, Komanda e Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së, dr. Xhevat Demirin e emëron drejtor të përgjithshëm të spitalit në Gjilan.

Veterani i luftës për liri dr. Xhevat Demiri bashkë me shokët dhe kolegët e tij nga mjekësia është nderi dhe krenaria e mjekësisë patriotike luftarake të Zonës së 7-të të UÇK-së por edhe të Gjilanit me rrethinë dhe me gjerë!

Ky nderim i madh për doktorin e luftës që i është bërë nga kryeministri i Kosovës, është nderim për gjithë ushtarët dhe eprorët e ZOK të UÇK-së.

Nderimet dhe vlerësimet për dr. Xhevat Demirin duhet të vazhdohen nga komandanti i ZOK të UÇK-së Ahmet Isufi e nga kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri dhe kryetarët që do të vijnë!

Shëndet e suksese doktorit të luftës për liri!
10 maj 2019!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja e katërt finale në Superligën e Kosovës në basketboll…