Draft-statuti i Asociacionit do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë sot fjalën e fundit për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do ta thotë Gjykata Kushtetuese.
Dhe sipas tij, një prej dispozitave të draftit është se ai do të analizohet nga kjo gjykatë.
Për Hovenierin “e gjithë histeria lidhur me kushtetutshmërinë, nuk na duket me vend, sepse është bërë punë me kujdes në hartim të draftit”.
“Siç ka thënë edhe kryeministri Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, kjo duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese para se të hyjë në fuqi”, ka deklaruar ambasadori amerikan.
Në një adresim para medieve, ambasadori amerikan ka thënë se draft-statuti që i është propozuar Kosovës për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmbush të gjitha kriteret që i parashohin Shtetet e Bashkuara për të.
Ai ka thënë se nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. “Ne besojmë se ky draft, që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere, dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur Hovenier.
Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u është prezantuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Hovenier është pyetur edhe nëse ekzistojnë afate kohore për zbatim të këtij draft-statuti.
Ai ka thënë se duhet vlerësuar angazhimin e madh të zyrtarëve më të lartë të vendeve evropiane për këtë proces, përfshirë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni.
“Ata i përdorin shprehjet ‘urgjente’, ‘sa më shpejt që është e mundur’, e të ngjashme. Ekziston një urgjencë, ka kërkesë që gjërat të lëvizin shpejt. Qeveria e Kosovës nuk ka arsye për të mos ecur përpara me këtë draft-statut. Kryeministri ka thënë se ka gatishmëri që ta pranojë në tërësi, javë më parë. Edhe ne po punojmë që kjo gjë të bëhet në kuadër të strategjisë sonë më të gjerë. Nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin, ka të bëjë me zbatimin e plotë të të gjitha obligimeve që i kanë Kosova dhe Serbia në Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e Ohrit. Këtë dëshirojmë ta shohim”, ka thënë mes tjerash Hovenier.