
Draft-statuti i BE-së për Asociacionin “nuk ka gjasa të anulohet”
Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por “ai nuk mund të anulohet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.
Me këtë vlerësim pajtohet edhe politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, i cili thotë se mund të lindin probleme sa i përket formimit të Asociacionit, nëse “një draft-statut jokushtetues i dërgohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për shqyrtim”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 21 mars se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga Bashkimi Evropian, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Deklaratat e shpeshta për këtë temë, Osmani ka filluar t’i bëjë pas takimit me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, më 17 mars.
Ajo ka thënë se ia ka shprehur Sorensenit kundërshtimet e saj për këtë draft-statut, i cili i është ofruar Kosovës dhe Serbisë në tetor të vitit 2023 nga të dërguarit e atëhershëm të BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Në atë kohë, BE-ja e ka përshkruar atë si një “model modern” për mbrojtjen e komuniteteve pakicë, ndërsa dokumenti është pranuar në parim si nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ashtu edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, ndërkohë, Kurti ka ndryshuar qëndrimin për këtë draft-statut dhe ka refuzuar ta dërgojë atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës – veprim që do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit.
Radio Evropa e Lirë pyeti Bashkimin Evropian se a ka ndryshuar qëndrimi i tij për formimin e Asociacionit dhe nëse ka ndonjë zgjidhje tjetër në horizont për komunitetin serb në Kosovë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
As Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se a pajtohet me vlerësimin e presidentes Osmani se draft-statuti për formimin e Asociacionit është jokushtetues dhe a planifikon ajo ndonjë draft-statut të ri apo po kërkon zgjidhje alternative.
Lidhur me këtë temë, Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje as nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në linkun poshtë:
https://www.evropaelire.org/a/draftstatuti-per-asociacionin-nuk-mund-te-anulohet-/33355384.html