Draft-statuti i ‘Zajednicës’, analistët: Barrë e rëndë për Kurtin, zgjedhjet e reja në vitin 2024
Në Kosovë, analistët po paralajmërojnë gjithnjë e më shumë skenarin e zgjedhjeve të reja të parakohshme dhe për këtë, shkak është Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Sipas analistëve, themelimi ose refuzimi i Asociacionit është barrë e rëndë për kryeministrin Albin Kurti, ndaj në fillim të vitit 2024 mund të priten zgjedhje të parakohshme në vend.
Artan Muhaxhiri është shprehur se: “Asociacioni është shndërruar në një element të patejkalueshëm dhe çdo humbje kohe në realizimin e tij shkon në dëm të qeverisë dhe shtetit të Kosovës, sepse nënkupton izolimin. Kurti është në pozitë të palakmueshme, pasi si opozitar ka qenë kundërshtari më i madh i Asociacionit, ndërsa si kryeministër e ka kuptuar se nuk e bllokon dot procesin”.
Ndërsa Dritëro Arifi, ka theksuar se “qeveria e ka deligjitimuar veten me pranimin e Asociacionit”.
“Nuk është gjë e keqe, por tani duhet ta kërkojë votën për legjitimim”, ka thënë ai.
Edhe skenari tjetër, ai i mospranimit të Asociacionit, apo edhe mosthemelimi i tij, do të sillte vetëm izolimin e Kosovës.
Së fundmi, Albin Kurti ka ofruar edhe mundësinë që vitin e ardhshëm ta shkruajë vetë një draft modern evropian. Në përgjigje të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se draft-statuti i Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës. Kësisoj, edhe Kurti tha se mund ta shkruajë ai draft-statutin, në bashkëpunim me ministrat Nenad Rashiqn dhe Elbert Krasniqin.