Drafti i Asociacionit është çështje e qeverisë Kurti
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se të enjten Kuvendi i Kosovës do të diskutojë rreth gjetjeve të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili si problematikë e ka përmendur korrupsionin e sundimin e dobët të ligjit.
Pas përfundimit të mbledhjen e kryesisë, Deliu-Kodra ka thënë se paraprakisht do të mbahet seancë solemne në nderë të komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra e dëshmorëve tjerë të Drenicës.
“Në ditën e enjte do të mbahet edhe një seancë solemne për nderim të komandanti të UCK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve dhe martirëve të rënë në Drenicë. Pas kësaj do të diskutohet për raportin e DASh-it”, ka thënë ajo.
Ndërsa sa i përket çështjes së draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ajo ka thënë se nuk është punë e opozitës, por e qeverisë Kurti.
“Çështja e dorëzimit të draftit të Asociacionit nuk është çështje e opozitës, është çështje e Qeverisë. Mbetet të shihet javët në vazhdim dhe nëse Qeveria me angazhimin ose mosangazhimin e saj do të mundësoj anëtarësimin e Kosovës në KE”.
“Sa i përket Kodit Civil është kompetencë e shumicës parlamentare që të deklarohet, sepse dinë që PDK nuk merr pjesë në votime për shkak të dështimeve të qeverisë”, ka thënë Deliu-Kodra. /EO