![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/12/kryetaret-e-komunave.jpg)
Draftligji për pagat në sektorin publik, degradues për kryetarin e komunës, e barasvlerëson me një zv/ministër
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka vlerësuar se Draftligji për pagat në sektorin publik edhe njëherë atakon lidershipin në nivelin lokal, me theks, kryetarët e komunave sepse në një formë del kundër përgjegjësive që ka një kryetar komune në raport me një pozitë qeveritare me pagë të ngjashme, (p.sh. një zëvendësministër).
“Në asnjë mënyrë postulati i reklamuar nga qeveria që për punë të njëjtë të jetë paga e njëjtë nuk vlen në këtë rast dhe jo vetëm. Përjashtim kryetarin e kryeqytetit, paga e kryetarëve të komunave të Kosovës është nënçmuese edhe për mënyrën e zgjedhjes edhe për përgjegjësitë që ka kryetari i komunës”, ka njoftuar AKK-ja.
Sipas këtij njoftimi, kryetari i komunës sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, përgjegjësitë i ka tejet të mëdha, përveç që zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, kryetari i komunës ndër të tjera përfaqëson komunën dhe ka përgjegjësi direkte ndaj qytetarëve të saj; udhëheq ekzekutivin e komunës dhe administratën e saj dhe mbikëqyr administrimin financiar të komunës; ushtron të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite kuvendit të komunës apo komiteteve të tij.
“Ndërsa, në anën tjetër, një zëvendësministër ndihmon ministrin dhe është pjesë e hierarkisë administrative, zëvendëson ministrin në rastet e mungesës së tij të përkohshme apo për përgjegjësitë e deleguara shprehimisht nga ministri. Po ashtu, me këtë projektligj shihe qartë që emërimi politik i një zëvendësministri bëhet më i rëndësishëm dhe më i çmuar se një Kryetar Komune i zgjedhur me zgjedhje të drejtpërdrejta nga qytetarët. Pra, si të tilla, këto përgjegjësi nuk reflektojnë nivelin e pozicionimit të një kryetari komune në draftligjin e pagave”, ka njoftuar AKK-ja.
Asociacionit të Komunave të Kosovës ka theksuar se do të angazhohet më gjithë kapacitetin e vet që këto ndryshime të reflektohen në projektligjin për paga në sektorin publik në takimet me komisionet parlamentare.