Dragusha i vendosur: Pensionohem në fund të kampionatit
36-vjeçari Alban Dragusha muajt e fundit do t’i zhvillojë si futbollist, pasi në qershor ai do të pensionohet. “99 % do t’i jap fund karrierës futbollistike në fund të sezonit. Është një vendim shumë i vështirë për mua, sepse që 20 vjet luaj futboll profesionist dhe si 16-vjeçar kam debutuar në ekipin e parë, por jam i mendimit se është koha e duhur dhe duhet t’i japim hapësirë gjeneratave të reja”, ka thënë Dragusha.
Mbrojtësi Alban Dragusha, që ka një përvojë të madhe në Kosovë dhe jashtë saj, ka vendosur përfundimisht t’ia japë lamtumirën futbollit të luajtur në fund të këtij kampionati. Dragusha të martën për “Epokën e re” ka thënë se ndihet i plotësuar për atë që i ka dhënë futbollit dhe tash mendon t’u lëshojë rrugë gjeneratave të reja. “99 % do t’i jap fund karrierës futbollistike në fund të sezonit. Është një vendim shumë i vështirë për mua, sepse që 20 vjet luaj futboll profesionist dhe si 16-vjeçar kam debutuar në ekipin e parë, por jam i mendimit se është koha e duhur dhe duhet t’u japim hapësirë gjeneratave të reja”, ka thënë Dragusha.
I pyetur për të ardhmen, Dragusha ka bërë me dije se nuk do t’i ndahet futbollit, për faktin se planifikon të punojë si trajner. “Futbollit nuk do t’i ndahem, pasi do ta vazhdoj punën si ndihmëstrajner ose me gjeneratat e reja. Tash për tash nuk kam vendosur se ku do të punoj, por pasi të përfundojë kampionati do të marr vendimin për të ardhmen”, ka shtuar ai.
Alban Dragusha është ndër lojtarët me më përvojë në futbollin e Kosovës, kurse muajit e fundit si futbollist do t’i kalojë në skuadrën e Vëllaznimit nga Gjakova. Ai ka treguar edhe për arsyen që e shtyri të vazhdojë me kuqezinjtë edhe përkundër dy ofertave të tjera. “Vendosa të qëndroj te Vëllanzimi deri në fund të kampionatit, pasi ky është një klub i madh në futbollin e Kosovës. E vetmja mëdyshje që ishte të vazhdoj apo të largohem kishte të bënte me kushtet financiare ku në gjashtë muajit e parë kanë qenë jostabile. Kam biseduar me presidentin e kaluar dhe më ka premtuar se do të kryhen obligimet. Po besoj se kam vepruar mirë që kam vendosur të pres. Oferta kam pasur nga dy klube të tjera, po vendosa të mos largohem”, ka deklaruar Dragusha, i cili la të nënkuptohet se klubi gjakovar ka premtuar se obligimet ndaj futbollistëve do të kryhen më 1 shkurt.
Skuadra e Vëllanzimit sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e nëntë me 25 pikë të grumbulluara, por Dragusha beson se kjo skuadër do t’i ikë pa problem zonës së barazhit dhe synimet e mëdha i ka në garën e Kupës. “Vëllanzimi nuk është në aq pozitë të favorshme në renditjen tabelore, por ambiciet tona janë t’i ikim barazhit dhe të luftojmë për Kupë derisa të na jepet mundësia. Kemi ekip të barabartë thuajse me shumicën e klubeve në Kosovë, prandaj pse mos të synojmë triumfin në Kupë”, ka deklaruar ai.
Alban Dragusha gjatë karrierës futbollistike ka luajtur për këto skuadra: KEK-un, Kosova e Prishtinës, Vorskla Poltava, FK Baku, Besa Kavajë, Trepça, Skënderbeu Korçë, Kalmar FF, Kosova Vushtrri dhe Drita.
(Veton ZYMBERI)