Drama e Anës dhe drama jonë

13 maj 2018 | 14:50

Emin Z. Emini

Këndvështrim për shfaqjen “Ditari i Ana Frankut”, inskenuar në Teatrin e Gjakovës, nën regjinë e Drita Begollit

Mbase dokumenti më unik dhe më tronditës i pasqyrimit të luftës së njeriut për mbijetesë nga çmenduria e ideologjisë naziste është, pa dyshim, ditari i së miturës, tinejxherës hebreje, Ana Frank. Mbi këtë fakturë dokumentare dhe duke kundruar nga retrospektiva socio-historike është ndërtuar drama me titullin “Ditari i Ana Frankut” nga autorët Frances Goodrich dhe Albert Hackett, përkthyer nga Ali Llunji, inskenuar në Teatrin e Gjakovës, si shfaqje me dedikim për Yllka Domin, regjinë e së cilës e ka bërë Drita Begolli.

Ndonëse Ana Frank dhe familja e saj nuk kishin përjetuar tmerret e luftës së nazizmit, për më shumë se dy vjet, për aq sa kishin qëndruar të ngujuar në nënkulmin e një shtëpie, nënkulmi për ta tashmë ishte shndërruar në kamp, në burg. Pavarësisht se sintagma nënkulm-kamp (burg) krahasuar me kampet e përqendrimit del të jetë pothuajse e pakuptimtë, ky nënkulm shndërrohet në sinonimin e robërisë, që vjen e bëhet një tmerr, një makth i llojit të vet për Ana Frankun, familjen e saj, familjen Van Dan dhe dentistin e vetmuar Dusel, të cilët së bashku gjejnë strehim te holandezi Kraler. Të gjithë këta janë personazhet e dramës “Ditari i Anës Frankut”. Është edhe zonja Miep, e cila ua afron kujdesin e saj të ngujuarve.

Ditari…

“Ditari…” është drama e një vajze me prejardhje hebreje, e një fëmije 13 vjeçe, aq sa kishte kur e përjetoi ikjen nga atdheu i vet, Gjermania. Ajo bashkë me familjen strehohet në Holandë. Aty, në nënkulm, zë jetë ditari i saj, si një jetë paralele që kërkon lirinë e munguar. Edhe pse ditari i saj lexohet në raste të rralla dhe të veçanta në off, drama e autores së ditarit dhe e të gjithë personazheve me të cilët është e detyruar të bashkëjetojë, nis e zhvillohet prej momentit të gjetjes së strehës për ta shpëtuar jetën nga uniformat e gjelbra me kryq të thyer. Dhe pas strehimit, në këtë strehë, nis tmerri. Tmerri i jetës pa dritën e diellit – për dritën e diellit, pa ajër të pastër – për ajër jete, pa ujë, pa bukë të mjaftueshme për të gjithë, sepse tetë persona kishin vetëm tri triska. Nis ngujimi. Nis një jetë larg jetës, mbyllur në një gëzhojë mbijetese.

Dhe, gjatë gjithë kohës sa këta personazhe qëndrojnë të ngujuar, detyrohen të flasin me gjysmë zëri, herë-herë me pëshpërimë, të kursehen nga përdorimi i tualetit gjatë ditës, sepse nuk bën të hapen çezmat e ujit, madje detyrohen të heqin dorë nga hapësira e tyre personale dhe të ndajnë çdo centimetër me njëri-tjetrin, detyrohen të dashurojnë dhe urrejnë njëri-tjetrin, t’ia vjedhin, kotheren e bukës njëri-tjetrit. Thjesht, detyrohen ta bëjnë jetën e minjve përgjatë një kohe të pafundme duke pasur ngenë e gjithë botës për t’ia brejtur mendimet, emocionet, vuajtjet e lumturinë njëri-tjetrit. Këto dy e më shumë vite ishin të mbushura me frikë, me trishtim, me pritje se në çdo moment mund të vinin “ata” që i përndiqnin për t’i zhdukur nga faqja e dheut. Frika dhe pritja ishte makthi i tyre. E në këtë makth jetësor kishte shumë pak hapësirë për gëzime, për kremte, për shpresë. Madje, të shpresosh ishte guxim.

Ana

Shpresën për jetë e ndryjnë në vete të gjithë personazhet e nënkulmit. Në nënkulm ishte edhe Ana. E vogla. Ana, e cila shkruante me bojë shpirti ditarin e dramës së saj. Ishte zëri i saj që e mbushte këtë robëri me pak jetë e shpresë, me ato sherret e saj fëmijërore, me rritjen e shtatit të saj, me pjekurinë e parakohshme për moshën që kishte. Këtë personazh emblematik, në skenën e Teatrit të Gjakovës, e sjell me një lojë të bukur e spontane, aktorja Yllka Lota, e cila realizon kreacion skenik. Aty ishte edhe Piteri, djali i zotit dhe zonjës Van Dan, interpretuar nga Besfort Berberi. Këta dy të rinj, Ana dhe Piter, në fillim nuk e durojnë njëri-tjetrin, por dita-ditës jo vetëm për faktin se me kalimin e kohës arrijnë moshën e dashurisë së parë, por edhe për faktin se ata, në mungesë përzgjedhjeje, sikur detyrohen fillimisht të rrëshqasin drejt miqësisë, më pastaj edhe dashurisë për njëri-tjetrin. Mbase kjo ndodh sepse kështu është vetë qenia njerëzore. Dhe kjo dashuri, e fshehur brenda nënkulmit, është forca që i shpërthen vargonjtë e robërisë.

Skenat e përjetimit të emocionit më njerëzor të këtyre dy të rinjve, që tashmë duke njohur një botë krejtësisht të re, të bukur, tronditëse për shpirtrat e tyre njomakë dhe, natyrisht, po aq magjepsëse, ngjyrën gri, gati-gati të errët të shfaqjes, e cila vjen si produkt i atmosferës së temës emocionale të personazheve dhe rrethanave, përkatësisht situatave dramatike, e spërkasin me tone të çelura e të ngrohta, i japin ngjyra drite e jete atij ambienti frymëzënës dhe, kështu, nënkulmi si hapësirë skenike në të cilin nuk ndodh asgjë e gjithçka, që ka emëruesin e përbashkët të luftës për mbijetesë, kthehet e bëhet një kopsht me dy lule të vetme që shpërthejnë e lëshojnë shtat, para nesh, ndërmjet tokësores dhe hyjnores.

Pa dyshim këto skena të shfaqjes “Ditari i Ana Frankut”, nën regji të Drita Begollit, do të mbesin gjatë në kujtesën e shikuesit, sidomos çasti i dëlirit të Anës, e cila, pasi përjeton për herë të parë aromën dhe shijen e emocionit njerëzor, si e pavetëdijshme kolektive psiko-biologjike për ta vazhduar jetën, llojin e racës, por edhe si nevojë, përkatësisht si motiv për të realizuar vetveten si individum njerëzor, na vjen me krejt origjinalitetin skenik dhe të papriturën e çastit që vetëm një herë mund ta ndiejmë në jetë. Dhoma-kthinë, e improvizuar, pak e ngritur e Piterit, deri tek e cila të dërgojnë ca shkallë të drunjta, hapësirës skenike, jo vetëm në akseptin skenografik, por edhe regjisorial në kuptimin e ndërtimit të linjave kompozicionale dhe të marrëdhënieve ndërmjet personazheve, i jep dimensionin e dy niveleve në të cilat zhvillohet jeta njerëzore: I pari, ai përdhesi (ta quajmë kushtimisht përdhesi i nënkulmit), i rëndomti pra, në të cilin banojnë të gjithë të strehuarit dhe, i dyti, i cili, për aq sa është jetësor, bëhet edhe aq astral, për dy të rinjtë. Nga niveli i dytë, si nga një botë krejtësisht tjetër, të thuash si nga një hapësirë eterike, Ana, kjo qenie njerëzore, shkëputet nga orbita dhe rrëshqet teposhtë shkallëve si një grimcë kozmike, e cila, tashti, e tëra është e përbërë nga lënda me emrin dashuri dhe nga drita e saj.

Krejt diçka tjetër ndodh në podiumin skenik. Aty priten lajmet për të rejat që ndodhin jashtë mureve të ngujimit, pritet shpresa, pritet të përfundojë e keqja që kishte kapluar njerëzimin, por pritej edhe vetë fundi i personazheve. Pritej frika e përçdoçastshme nga duart e vdekjes. Por nuk pritej, vetëm. Edhe luftohej për një marrjeje frymë më shumë, për një sekondë jetë më gjatë, për një kothere bukë me shumë për të mbijetuar fizikisht. Mbijetesa bëhet aq e ashpër, e egër, duke kapërcyer edhe kufijtë e humanes së qenies njerëzore, e cila shpërfaqet në skenë nëpërmjet karakterit të zotit Van Dan, në interpretim të saktë e të natyrshëm nga Ylber Mehmeti, i cili, i shtrënguar nga mungesa e ushqimit, detyrohet të ngihet natën që ta vjedhë bukën e të tjerëve, edhe të djalit të tij. Ai shndërrohet në një brejtës nënkulmi, i cili gërryen dhe han jo vetëm bukën e përditshme të bashkëvuajtësve, por edhe qelizat e tyre, shpirtin e tyre, të ardhmen e tyre, duke ua vjedhur dhe mohuar me vetëdije të drejtën për ekzistencë biologjike.

Këtu, vjen e bëhet kontrapunt, personazhi i zonjës Frank (Edit Frank) – Myrvete Kurtishi, e cila spikatë me mjeshtërinë e saj prej aktoreje në skenën e debatit konflituoz me z. Van Dan, që në të vërtetë është skena e konfliktit me rrethanat, me situatat çnjerëzore, dramatike e ekzistencialiste nëpër të cilat detyrueshëm kalojnë të gjithë personazhet, bashkë dhe secili veç e veç.

Ekzistenca, ekulibri dhe ne

Ekuilibri i gjithë kësaj katrahure gjithmonë gjendet te zoti Otto Frank, te personazhi i interpretuar nga Jahja Shehu, i cili, po ashtu, me përvojën e gjatë skenike, di si ta ruajë ekuilibrin e konfliktit të brendshëm të personazhit, madje e mbizotëron me shumë masë zjarrin që e djeg dhe njëkohshëm akullin që e ndjen nga brenda tij, si pasojë e pamundësisë për të gjetur zgjidhje për ta shpëtuar familjen, vetën dhe gjithë të tjerët. Ai është trari mbajtës i kulmit – nënkulmit të të gjithëve, është burri i qëndresës, shpresës dhe mbijetesës.

Sikur të mos mjaftonin këto dy familje brenda një nënkulmi, aty strehohet edhe stomatologu Dusel, i cili bëhet zorrë nëpër këmbë për të gjithë, më së shumti për vetën. Interpretimi i Edmond Hafizademit u shton nuanca dramaciteti situatave skenike, që nga ardhja e tij duke vazhduar përgjatë gjithë zhvillimit të fabulës së dramës. Është personazh që ndodhet në veprim brenda linjës karakterologjike. Ndërsa Elida Shasivari ngjet në skenë zonjën Meip, e cila është “messengeri”, lidhja në mes të botës së ndarë me mure, botës me dy hapësira robërie: botës jashtë murit dhe botës brenda tij.

Drama “Ditari i Ana Frankut” është një vepër tejet e zorshme për inskenim dhe, si e tillë, për çdo regjisor bëhet lehtësisht ndërmarrje sa provokuese po aq dhe e guximshme. Pavarësisht se shfaqja zgjat dy orë të plota, Drita Begolli, duke aplikuar qëllimshëm sisteme të ndryshme teatrore, realizon një shfaqje me linja të qarta kompozicionale, mizaskenë me koordinata të cilat jo që nuk lejon t’i përsëriten, por i ndërton sipas gradacionit të dramacitetit dhe konfliktit skenik, madje me invencion ia del të ndërtojë skena paralele, të cilat i gërsheton natyrshëm brenda tërësisë së zhvillimit të shfaqjes teatrore.

Regjisorja Drita Begolli dhe Teatri i Gjakovës, me shfaqjen “Ditari i Ana Frank”, na e sjellin dramën e Anës dhe dramën tonë, dramën e njeriut dhe njerëzores së tij. Shfaqja vjen si provokim i ndërgjegjes sonë, si nevojë për një katarsis kolektiv.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tri eksplodime duke përfshirë një sulm vetëvrasës, në tri kisha…