Drama e përditshme e shqiptarit në “Ëndrra, shi dhe lule”
Qendresa RAMA / Epoka e re
Poeti Fadil Halimi në fund të muajit maj të këtij viti ka botuar librin me poezi “Ëndrra, shi dhe lule”. Ky libër është i ndarë në katër cikle: Shi dhe lule (Stinë dashurie), Plumba (Plumba dhe shi), Shi dhe ëndrra (Libri i mosdurimit) dhe Karantina (Cikli i fundit), në të cilët ka përmbledhur disa tema të përditshme, eternale, të zakonta, të pazakonta dhe të papritura, siç janë ditët e izolimit të qytetarëve me vendim qeverie, të cilat autori, bashkë me qytetarët e tjerë, i përjeton si ditë lufte, madje bën një raport krahasimi me luftën e fundit në Kosovë, me granatimin e serbëve ndaj shqiptarëve.
Me këtë lloj të shkrimit (poezinë) Halimi ka thënë mjaft të pathëna dhe ka thurur mjaft veçanti artistike në vargje. Duhet ta kemi parasysh se këtë lloj të shkrimit, shfaqur për publikun, Halimi e ka nisur që në vitet nëntëdhjetë, kur botonte poezi në revistën “Jeta e re”.
Në këtë libër, pra në “Ëndrra, shi dhe lule”, në këtë “trinom poetik”, me 54 poezi autori ka bashkuar në një libër, njëkohësisht ndarë në katër cikle, disa sekuenca nga drama e përditshme e njeriut, çastet e gëzimit dhe të hidhërimit e të pikëllimit të tij. Padyshim se në të e gjejmë atë që e ka thënë në parathënie Imer Topanica, se vetë titulli “Ëndrra, shi dhe lule” na sugjeron një lloj leximi të tillë semantik, duke na paralajmëruar se nëpërmjet ëndrrës mund ta takojmë shpresën; nëpërmjet shiut, trishtimin; nëpërmjet metaforës së lules, dashurinë. “Gruaja, atdheu, nëna, babai, motrat, i biri etj., vijnë si trajta simbolikash nëpërmjet të cilave vihet gurthemeli i këtij kodi tematik”, ka shkruar Topanica në parathënie të librit, duke rrokur me këtë fjali elementët kryesore të librit.
Ndërkaq recensenti i parë i librit, Ahmet Selmani, ka veçuar toposin lirik të librit, duke shprehur se në këtë libër poetik “kemi të bëjmë me një rrafsh shpirtëror, ku ndodh mishërimi dhe trazimi emocional për gjërat e shtrenjta siç janë: njerëzit e afërt, e dashura, nëna, babai, vogëlushi, miqtë”.
Ndërkaq recensenti tjetër i librit, Xheladin Rexhepi, ka thënë se poezia e Halimit dallon nga arketipi i motiveve libreske, pa gjak, pa imagjinatë dhe fabul. “Kultivon një formë shprehëse poetike të lirshme, të dendur, si në aspektin motivues, ashtu edhe në metrikën e zgjedhur përtej skemave klasike”, ka konstatuar Rexhepi.
Pesë poezi nga libri “Ëndrra, shi dhe lule”
VENDI I ZBRAZËT I NANËS
Çast pafuqie e trishtimi
me u nda prej nanës
e me e pa me sy fluturimin e saj
Frymë e saj e mbramë jeton në mue
me erën e bukës
me mërzinë dhe dhimbjen e pafund
Nanë, askush si sytë e tu magjikë
nuk kanë ditë me e çelë zemrën teme
e me i shnoshë dhimbtë
Afër teje, nanë
Gjithnji ndodhin gjana të bukura
MBRETNIA E VDEKJES
Si nëpër flakë pushke
kemi dalë nga mbretnia e vdekjes
dhe baladat
Në hijen e ankthit
sa herë kemi dhanë shpirt
jemi ringjallë si feniks
Përsëri kemi provue
me fluturue hapësinave të shpirtit
e me vizatue lirinë e imagjinuese
MORTJE
Nuk jemi kërkah, lum miku
Përsëri kemi mbetur në fund të tunelit
Ku po shuhet edhe drita e fundit
Në këto net të verbëta mallkimi
Edhe mortja i ka prekur ëndrra tona
E na ka heshtur e vetmuar si në balada
Sytë na janë zmadhuar nga trishtimi
Sikur e kemi harruar sëmundjen e rëndë
Prapa perdeve të mashtrimit
Fati im e fati yt sërish po shkruhet
Me alfabet të panjohur
Lum miku,
A s’e sheh se na ka marrë lumi
NATA E FUNDIT NË KARANTINË
(Një natë e gjatë në karantinë)
Nata më e gjatë në karantinë
I ringjall fotografitë e frikshme
Të plumbave që binin si shiu
Nga ankthi e ëndrrat e llahtarshme
Lëkundej tërmeti i shtëpisë
Si një tërmet në shpirtin e vrarë
Hijet e natës stërzgjaten
Dhe përgjojnë në dhomën e vetmisë
Mallkimi bie si rrufe
në fluturimin qiellor
për t’i ngjallur përvjetorët e vdekjes
E dashur
Ishte kjo një ëndërr e keqe,
Apo një histori e përsëritur
Ç’RENDËSI KA SI VDISET
Nuk ka rëndësi si jep shpirt
Duke e shikuar qiellin, apo me sy mbyllur
S’ka rëndësi
Nëse vdes
Me mallin e një përqafimi
të shpirtrave
të mbetur
në këtë botë bizare
Nuk ka rëndësi
As diagnoza e sëmundjes
Sa malli për të ecur
Për të fundit herë
Hapësirave të shpirtit të nënës e të babës
E për të vazhduar
Lojën e fshehtë të fëmijërisë
Me motrat e mbetura në vetmi
Në degën e këputur të pemës