Drama në jetën e Naser Alijit, nga sëmundja e babait te falsifikimet
Naser Aliji është duke përjetuar një dramë në jetën e tij. Mbrojtësi i majtë nga Kumanova, i cili ka veshur fanellën e kombëtares shqiptare është aktualisht pa klub. Megjithatë kjo duket se është problemi më i vogël që ai ka, sepse ka arsye më madhore që e kanë detyruar të qëndrojë larg sportit të tij të preferuar.
Në një intervistë për “Blick.ch”, Aliji ka treguar gjithë kalvarin e vuajtjeve, duke filluar me babain e tij, i cili ka ndërruar jetë. “Po stërvitem te Badeni për të qenë në formë. Isha i zhgënjyer këtë verë pasi nuk kisha klub. Megjithatë kuptova shumë, kuptova se duhet të qëndroja më shumë me babain tim, i cili vuante nga kanceri”, ka thënë Aliji.
“Kam pasur mendime të tjera sesa për një klub ku mund të luaja. Doja të rrija në Itali, por problemet vazhduan. Menaxherët falsifikuan firmën time për të bërë bisedime me klube të tjera. Në Itali e humbën besimin te unë, megjithëse këtë çështje do ta ndjek deri në fund. Dua të qëndroj pranë familjes dhe një klub jashtë vendit nuk është në prioritetet e mia”, ka përfunduar Aliji.