Drama për demarkacionin merr fund të martën, Qeveria ka siguruar votat
Pas disa seancave të dështuara, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca e radhës për votimin e demarkacionit të mbahet të martën, në orën 16:00.
Koalicioni qeverisës me rikthimin e Donika Kadaj-Bujupi në AAK dhe me votën e deputetit boshnjak, i cili është pjesë e Listës Serbe, Adem Hoxha (Hodza), ka siguruar plot 2/3 e votave (80) të deputetëve në Kuvend, që janë të mjaftueshme që marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi të ratifikohet.
Disa deputetë të koalicionit kanë qenë në mëdyshje që të votojnë demarkacionin, një ndër ta edhe Nait Hasani, i cili ditë më parë ka thënë se vota e tij kuptohet kur të votojë, andaj kjo marrëveshje është në fije të perit që të dështojë ose edhe të kalojë.
Megjithëkëtë, kështu nuk mendon Avni Arifi, shef i stafit të kryeministrit, Ramush Haradinaj. Ai për “lajmi.net”, se është i bindur se demarkacioni ditën e martë do të merr epilog.
“Ne po besojmë se kemi me i mbërri 80 vota, pasi është interes i vendit, është interes madhor i vendit. Kosovës i hapet krejtësisht një perspektivë tjetër. Janë adresuar problemet të cilat ne i kemi pasur si shoqëri në lidhje me demarkacionin dhe besojë që është një hap shumë i madh për Kosovën dhe nuk ka asnjë arsye pse të dështojë dikush”, ka thënë Arifi.
Ai ka thënë se vendimet e mëdha janë vendime të vështira dhe se njerëzit janë duke pasur dilema.
“Ne e dimë se është shumë e vështirë të merret një vendim, por ne besojmë se do të mbizotëroj arsyeja dhe deputetët e Parlamentit të Kosovës të martën do vetojnë këtë vendim kyç.”
Në pyetjen se a janë duke biseduar me ndokënd tjetër për të pasur vota plus dhe kush janë ata deputetët, Arifi është përgjigjur: “Ne po bisedojmë edhe me ma shumë se 80, kryesisht shqiptarë, por edhe serbët. Ne do të kishim preferuar që të martën të votohet më 120 vota, këtë preferencë ne po e ndërtojmë me angazhim maksimal”.
Më tutje, Arifi u ka bërë thirrje edhe publike edhe private secilit deputetët që ta votojnë demarkacionin.
“Është interes i Kosovës, është interes i çdo qytetari të Kosovës pasi prekë çdo qytetarë dhe të jesh 18 vjet dhe ta kesh lirinë e lëvizjes nëpër Evropë pas viza është ngjarje e madhe për secilin qytetar”, ka thënë Arifi.
Arifi ka thënë se është shans i çdo deputeti në Kuvend që t’ia ofroj lirinë qytetarëve të Kosovës dhe izolimi të marr fund.