Dramë e qëndresës dhe e rinisë
Ismet Rashiti “Pranvera e madhe”, botoi Shtëpia Botuese “Mëmëdheu” Shën Gallen, Zvicër 2007
Rrahim Sadiku
Ishte një kohë kur po krijohej historia e lirisë; kur rinia kosovare, sidomos ajo studentore, po vuloste fatin e Kosovës e të kombit. Ishte kohë kur krenaria kombëtare, e shkelur dhe e përgjumur me vite e shekuj,po zgjohej furishëm, për të mos e lejuar më që të na rrezikonte armiku e as letargjia e jetës në robëri. Kishte lindur brezi i luftës për liri. Ishte ky brez i rinisë guximtare, që shkoi në demonstrata, në aksione për të dëmtuar armikun, nëpër përleshje, në burgje e në mërgim, por pa u thyer e të gatshëm për të flijuar edhe jetën. Ishte brez që po shkonte edhe në vdekje me guxim e krenari të paparë. Ishte dhe mbeti brezi më i nderuar në historinë tonë, sepse me shumë sakrifica, vite të humbura rine e gjak të derdhur. shemb pengesat e ndërtoi në dheun e të parëve shtetin, lirinë dhe hapi perspektiva për hove ardhmërie.
Në rrjedhën e kësaj rilindjeje, të këtij ndërtimi të madhështisë së sakrificës për atdhe e për liri lindën libra, piktura, këngë, që ajo arritje të bëhet e dukshme për sot e për breznitë e ardhme. Frymëzimin artistik e motivojnë në vazhdimësi të gjithë ata që dhanë aq shumë për kombin e për krijimin e një realiteti të ri shqiptar. Kjo madhështi është paraqitur bukur e bindshëm edhe në dramë “Pranvera e madhe” të autorit Ismet Rashitit. Mu për këtë, kjo dramë hyn në radhën e veprave të dalluara të këtij zhanri, të shkruara për këto ngjarje, qoftë të fushës imagjinative, qoftë të asaj historike e të asaj dokumentare.
Ismet Rashiti, edhe vetë pjesëmarrës i këtyre ngjarjeve, e ka jetuar e stërjetuar atë ndjenjë krenarie që pati Kosova ato ditë, vite e dekada. Ato kohë kur Rilindja Kombëtare Shqiptare po përsëritej me hov të paparë ndonjëherë. Kësaj here një popull i tërë po tregonte se mund të vritej, burgosej e syrgjynosej, po nuk mund të nënshtrohej. Nga kjo vendosmëri shtohej hovi i qëndresës, ngriheshin në këmbë të gjitha moshat, pa dallim gjinie dhe hovi luftarak e vendosmëria ishin kudo të pranishme e kudo të dukshme. Vendi po gjakosej për të dalë njëherë e përgjithmonë nga kthetrat e robërisë.
Ideja e dramës është e qartë: të paraqitet në skenë, pra si e gjallë, ajo që ndodhi në shpirtin, mendjen dhe jetën e njerëzve ato ditë. Sepse kishin ndryshuar si brenda individëve, ashtu edhe ajo e familje, e fshatrave e qyteteve dhe e gjithë skenës politike shqiptare, e cila kulmohet me ndarjen e liridashësve nga pushtuesi, me kërkesat që e bëjnë botën të shohë ndryshe çështjen shqiptare, në përgjithësi dhe e çështjen e Kosovës, në veçanti.
Drama “Pranvera e madhe” është brumosur me madhështinë e rinisë shqiptare të Kosovës, duke nisur nga marsi i vitit 1981 e për të vazhduar deri në arritjen e fitores e shporrjen e pushtuesit. Me këtë temë dhe me heroikën e ndërthurur brenda saj, kjo dramë, në shumë aspekte na e kujton “Motin e madh” të Jeronim De Radës, me ndryshim se kjo nuk përshkohet nga tone romantike dhe zhvillohet në gjysmën e dytë të shekullit XX. Është kjo dramë realiste, me personazhe të marra nga përditshmëria, pa ndonjë të kaluar të bujshme; me personazhe që me përkushtim e vetëmohim arrijë te e bujshmja dhe te heroikja. E bujshmja brenda personazheve është dashuria për atdheun dhe gatishmëria për t’u flijuar për të. Personazhet, si Besa, Genci, Musa, Murati e të tjerë janë mishërim i një rinie atdhetare, luftëtare dhe të vetëdijshme për komb e atdhe. Prandaj janë shembull i vendosmërisë, i guximit dhe i sakrificës. Me ta janë edhe Brahimi e Sala, si simbole të vazhdimësisë së qëndresës dhe urrejtjes ndaj robërisë.
“Pranvera e madhe” ndërtohet si dramë klasike. Si e këtillë ajo ndahet në dy akte, në disa pamje dhe ka kulminacionin, i cili arrihet me sakrificën e Genc Bardhit, që për ata që i njohin këto ngjarje është sinonim i dëshmorit të kombit, Sherif Frangut, rënë për atdhe në Pranverën e Madhe të vitit ’81, i cili ishte shok fëmijërie i autorit. Këtu kemi të veçantën e dramës, qëndrimin e prindërve para trupit të djalit të rënë për liri, dhembjen dhe krenarinë, vendosmërinë dhe mallin, që mendoj se janë edhe pikat më të qëlluara në rrjedhën dramaturgjike të ngjarjes.
Të kundërt me këta dalin policët dhe bashkëpunëtorët e armikut, që kanë shitur veten, njerëzoren e mirësinë dhe që nuk stepen as kur vrasin, as kur maltretojnë, as kur tradhtojnë. Të këtillë janë Lani, Haliti dhe policët, që në dramë janë pasqyruar ashtu si edhe ishin e mbetën shumë bashkëpunëtorë të armikut, duke mos dashur as edhe njëherë ta kuptojnë se e keqja nuk durohet, se populli zgjohet, se e vërteta ngadhënjen. Ballafaqimi i tyre me profesorin Musa Murati, me atë që nuk urren pa vend, që e do atdheun më shumë se çdo gjë dhe që nuk trembet për të mbrojtur të vërtetën, i bënë të bëhen edhe më të vrazhdë, edhe më urtrejtës, edhe më të pamëshirshëm, sepse e kuptojnë që ka ikur koha e tyre dhe se herët a vonë do të japin llogari për krimet e tyre.
Drama është e shkruar me gjuhë që i shkon momentit, e thjeshtë e në shërbim të ngjarjes dhe e begatuar me shprehje që i shkojnë rrjedhën së zhvillimeve të kohës dhe kërkesave të saj.