Dramë që jep një realitet të asaj kohe …

21 shkurt 2022 | 15:56

(Hysen Këqiku, “Shkëndija nuk i kishte sytë e mbyllur” (dramë për fëmijë), shb. “Lena” Prishtinë, 2021, fq. 40).

Shkrimtari, Hysen Këqiku, një emër i njohur i letërsisë së dy ligjerimeve poetike, një autor i kompletuar, këto ditë doli me një dramë për fëmijë, me titull “Shkëndija nuk i kishte sytë e mbyllur”, botues sh.b. “Lena” Prishtinë, dhjetor, 2021.

Duke e ditur se dramat për fëmijë janë shumë deficitare, njëjtë siç janë edhe librat me tregime, autori, ka shkruar këtë dramë interesante dhe në të vërtetë kjo dramë është shkruar shumë herët, e cila u vu në skenë në vitin 1995, në Manifestimin Tradicional “Flaka e Janarit”, në Shtëpinë e Kulturës në fshatin Bresalc të Gjilanit.

Kjo dramë vë në spikamë një kohë, në të cilën zhvilloheshin “drama” të papritura me nxënësit nëpër shkollat shqipe, duke u përcjellur, ndëshkuar e nëpërkëmbur nxënësit shqiptar nga arsimtarët që ligjeronin gjuhën serbe, të cilët (shumica sosh) nuk i trajtonin nxënësit ashtu siç duhet dhe ashtu siç e ka etika pedagogjike e një punonjësi edukativo-arsimor.

Ngjarja paraqitet në një klasë, ku zhvillohet e tërë mbarëvajtja e dramës, me personazhet që Këqiku i ka futur brenda strukturës së dramës, ku paraqitet figura e një arsimtari me përkatësi serbe, me emrin Serbo, i cili paraqitet një personazh negativ përpara nxënësve dhe kjo shihet edhe nga sjelljet e tij para nxënësve, i dehur, tap, jep sinjalin e një pijaneci e jo e një punonjësi edukativo-arsimor.

Tjetra është se nxënësit atëbotë kanë qenë të ndjekur në çdo hap se çfarë po mësohet, çfarë po shpjegohet e çfarë po recitohet nga nxënësit, dhe këto mësime e recitime nxënësit i mësonin e i recitonin fshehtas, për të mos u ndëshkuar qoftë nga arsimtari, qoftë edhe nga strukturat tjera udhëheqëse të shkollave, nëpër të cilat mësohej me planprogram të shtetit, sidomos lëndët e historisë, gjerografisë, ed. muzikore dhe të letërsisë shqipe.

Ngjarja nis në mbledhjen e inicuar nga drejtori i shkollës, në të cilën pjesë e rendit të ditës ishte sjellja e arsimtarit Serbo, i cili me sjelljet e tij si i dehur po ashtu dhe në gjendje normale e then kodeksin pedagogjik të një mësimdhënësi, duke i maltretuar e sulmuar, përgojuar e imituar nxënësit, i cili mandej duke vrapuar pas nxënësve për t’i rrahur, bie përtokë dhe në atë gjendje e zë edhe drejtori i shkollës, i cili mandej ngrit procedurë për mësimdhënësin, por Serboja nuk pranon  asgjë dhe luan rolin e të diskriminuarit, e të shkelurit nga kolektivi i shkollës, bile kërcënon drejtorin se do të ankohet lartë tek ata që e përmbajnë edhe të keqen dhe kur është në pyetje njeriu i tyre.

Shkrimtari, Këqiku, dramës ia ka mveshur këta personazhe:

Diskutuesi 1/, /diskutuesi2/, /Drejtori/, / Serbo, arsimtari i serbishtes/. / Kujdestari/, /Shkëndija/, /Zëarta/,/ Mirani/, /Blerimi/, /Genci/, /Agimi/, /Shkëlzeni/ dhe nxënësit tjerë.

Që nga prologu i dramës deri tek epilogu i saj, (e përbërë nga tri pamje) shohim një ngjarje të rrjedhshme të strukturës së dramës, e cila përfundon me pendimin e mësimdhënësit të gjuhës serbe, tek pasi i kalon e dehura dhe i kujtohen bisedat dhe sjelljet e egra dhe jo normale me nxënësit e klasës, e sidomos me nxënësen, Shkëndijen dhe nxënësin Shkëlzenin, i cili pantollonat i kishte të lidhura me tojë të bardhë në vend të rripit, sepse nuk kishte mundësi të blente një rrip, pendohet dhe kthehet në mbledhje kërkon falje nga Shkëndija, e cila i thotë se duhet të kërkojë falje nga kujdestari, e ky i thotë të kërkojë falje nga drejtori i shkollës, dhe këtë e bën.

Kjo dramë jep një realitet të saktë të asaj kohe  kur arsimtarët e tillë (siç është rasti me personazhin në fjalë) ndjeheshin të fortë, me krah të çelikët nga pushteti dhe si të tillë ushtronin edhe dhunë në nxënësit shqiptarë.

Si e tillë kjo dramë lexohet me një frymë dhe është një rikujtesë për lexuesit, sepse raste të tilla kanë ndodhur shpesh në shkollat shqipe, sidomos në Kosovë.

Përpos vlerave artistike që ka kjo dramë, e cila tek ata fëmijë (nxënës) ngjalli frikë dhe trishtim, edhe lexuesit tjerë do të bëhen pjesë e kësaj ngjarje jo të mirë të asaj kohe të pakohë.

Kjo dramë duhet të luhet në skenë, sepse personifikon një të vërtetë të hidhur të motit të nxirë me batica dhe zbatica  të shpeshta, e që kjo dramë ngelet një dëshmi e pakontestuar e asaj kohe….

Bilall Maliqi, shkrimtar

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në diskutimin mbi mënyrën e përcaktimit të të hyrave të…