
Drashkoviqi: Ahtisaari përfshiu sugjerimet e mia në planin e tij për Kosovën pas ‘trazirave të marsit’
Në një artikull të “BBC”-së (shërbimi në gjuhën serbe) ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviq, kushtuar “Trazirave të Marsit” të viti 2004, ka thënë se më 5 maj të atij viti kishte udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u takuar me asokohe sekretarin amerikan të Shtetit, Collin Powell, për të diskutuar rreth ngjarjeve.
Drashkoviqi ka rikujtuar t’i ketë thënë Powell-it se “shqiptarët duhet ta dinë që hakmarrja për krimet e regjimet e Millosheviqit ndaj tyre është gjithashtu krim dhe s’mund të ketë alibi”.
Ish-politikani serb ka thënë se më vonë në diskutimet me Marti Ahtisaarin (të dërguarin e OKB-së për Kosovën) pas atyre trazirave i kishte thënë se “është imperative tash që të formohen komuna të reja me shumicë serbe dhe jo-shqiptare në Kosovë, me nivelin më të lartë të vetëqeverisjes, përfshirë policinë dhe pushteteve gjyqësore”.
“Unë sugjerova gjithashtu krijimin e zonave të mbrojtura rreth kishave dhe manastireve serbe. Ahtisaari do t’i përfshinte të gjitha këto në planin e tij”, ka thënë Drashkoviqi.