Drashkoviqi: Serbia e ka njohur Kosovën me marrëveshjen e Brukselit
Shkrimtari dhe politikani serb, dikur edhe ministër i punëve të jashtme të Serbisë, Vuk Draskovic, ka shprehur shqetësimin e tij rreth retorikës dhe qëndrimin politik serb (nuk u shpreh më mirë as për atë kosovar) në këtë periudhë të krizës në Kosovë. Ai theksoi se kjo i ngjan një nisme të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës që do të ishte katastrofik për Serbinë së pari. Ai foli edhe për nevojën që në Serbi duhet të ndryshojnë narracioni rreth historisë së Serbisë me Kosovën pasi dominon një i pavërtetë ende. Kosova është humbur më 1999’në dhe kjo duhet pranuar dhe Serbia nuk duhet t’i besojë Rusisë si garantues pasi kjo e fundit e ka dëshmuar se e sheh Serbinë vetëm si një pion në pazarin e saj me Perëndimin që e ka keqpërdorë dhe po e keqpërdorë ende.
Draskovic në emisionin e mëngjesit të agjencisë serbe të lajmeve Tanjug me 18 dhjetor ishte ftuar të diskutonte problemin e Kosovës, siç e kishin emërtuar temën.
I pyetur rreth situatës tani dhe si e sheh gjendjen e tanishme, Draskovic nuk e fshehu mendimin e tij dhe e vlerësoi si gjendje shumë të rrezikshme krizën në Veriun e Kosovës, me potencial të eskalimit në luftë të hapur, me pasoja shumë të rënda për Serbinë. Ai nuk hezitoi ta thotë se retorika dhe qëndrimi i të shumtëve në Serbi që flasin është gjuhë luftënxitëse.
“Jemi në një tunel të errët dhe nëse me urgjencën më të madhe nuk do të ndezen dritat në këtë tunel, ne na presin vetëm dy rezultate të mundshme. I pari është, izolimi politik dhe ekonomik i Serbisë nga ana e Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga gjithë Perëndimi. Çfarë do të thotë kjo? Kjo i bie edhe ndërprerja e këtyre negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian, tërheqja e investimeve, kthimi i mbrapsht i të gjitha fondeve të Bashkimit Europian që do të ishte katastrofike për ne. Megjithatë, nuk do të ishte aq katastrofike në krahasim me rezultatin e dytë të mundshëm, e ka shumë njerëz në Serbi të cilët po shtohen që e kërkojnë një luftë të re për Kosovën, duke mos i menduar aspak pasojat, pa i menduar fare se si apo çfarë Serbie do të dilte nga ajo lufte në Kosovë. Le t’i heqim ferexhetë, e të flasim hapur e le ta themi hapur – të gjithë ata në Serbi që po kërkojnë ri-integrimin e Kosovës në përbërje të shtetit serb, nuk kërkojnë gjë tjetër përveç luftës, sido që të formulojnë apo mbështjellin këtë ata. Kjo është një thirrje për lufte.”
Tutje ai shpjegoi se çka e sheh si zgjidhje të kësaj krize të fundit në Kosovë, por edhe zgjidhjes përfundimtare. Ai shpjegoi edhe se ku gjendet filli i ngurrimit të shqiptarëve në Kosovë për të pranuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, siç vlerësoi ai tutje, nuk ka bazë për këtë ngurrim.
“Cila na qenka kjo drita në të cilën ende shpresoj. E përsëris, zbatimi me urgjencë, me urgjencë të shtuar të secilës pikë të Marrëveshjes së Brukselit të 2013’së. Ambasadori amerikan Hill tha se do të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe. Kur? Duhet menjëherë. Nuk mundet. Përse jo? Nuk mund të themelohet ashtu duke e negociuar në kuadër të planit Scholz-Macron-Amerikan. Pse? Për shkak se kjo tashmë është negociuar dhe pajtuar. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj se pse shqiptarët tash e dhjetë vite nuk duan ta themelojnë atë për të cilën janë zotuar me Marrëveshjen e Brukselit, që edhe e kanë nënshkruar. Po e paramendoj se ku qëndron çështja. Bëhet fjalë për frikën e tyre pas një deklarate të pamatur të dhënë nga asokohe presidenti serb Toma Nikolic, se me Asociacionin e Komunave Serbe Serbia përfiton një Republika Srpska në Kosovë. Kjo nuk ishte mbështetje për Aleksandar Vucic, arkitektin kryesor të Marrëveshjes së Brukselit asokohe, por ishte një minë nën marrëveshjen, e minuesin i këshillonin nga Moska. E shqiptarët që nga ajo kohë ngurrojnë Asociacionin e Komunave Serbe për shkak të kësaj deklarate, edhe pse në vet tekstin e Marrëveshjes së Brukselit, dhe atyre neneve që i referohen Asociacionit të Komunave Serbe nuk ka as edhe një shkronjë nga të cilat mund të dilej në përfundim se ka diçka që është Republika Srpska në Bosnje e Hercegovinë. Madje theksohet qartë se Asociacioni themelohet në përputhje me ligjet e Kosovës e në kuadër të rendit kushtetues të Kosovës. Është plotësisht e qartë se nuk ka arsye për këtë frikë dhe për këtë akuzë se Serbia përmes Asociacionit të Komunave Serbe dëshiron të themelojë një Republika Srpska në territorin e Kosovës. Njëkohësisht, duhet që me rreptësi nga ana jonë të respektohet nenin 14 e marrëveshjes së Brukselit. Në atë nen qartë shkruhet se të dy palët zotohen se nuk do të pengojnë njëra tjetrën, poashtu nuk do të shfrytëzojnë dikë tjetër që ta bëjë këtë në emër dhe llogari të tyre, në rrugëtimin e tyre drejt integrimit europian”.
Draskovic vazhdoi më tej duke shpjeguar qëndrimin e tij duke refuzuar diskutimin kush i nisi telashet i pari me refuzimin e marrëveshjes së Brukselit duke e theksuar mendimin e tij rreth realitetit të shtetësisë së Kosovës.
“Të jemi shumë të qartë, drejt integrimit europian nuk synojnë komunitete lokale, por shtetet. Dhe kjo me gjuhë të bukur diplomatike është qartë e thënë se Serbia asokohe ka pranuar realitetin, duke mos e pranuar formalisht Kosovën si shtet, por edhe duke mos e kundërshtuar faktin që është. Unë në atë vit të 2013’së kam mbështetur fuqishëm dhe me zë të lartë Marrëveshjen e Brukselit, e quajta fitimprurës, edhe sot e konsideroj fitimprurës. Unë nuk shoh ndonjë shpresë tjetër në këtë tunelin tonë përpos zbatimit të pakusht dhe të menjëhershme të Marrëveshjes së Brukselit.”
I pyetur përsëri se kush qenka pengesa në këtë mes pasi shihet qartë se nuk po respektohet nga kryeministri Kurti, Draskovic iu kthye nenit 14 përsëri në diskutim. Draskovic u përgjigj se janë dy palë këtu.
“Nuk po e respektojmë as ne, pasi nuk po respektojmë nenin 14”.
Moderatori shtoi tutje një pyetje duke e ditur se kjo nuk do pranohej, por duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Kurti që e kishte vlerësuar si fëmijërore kërkesën serbe për Asociacion: “ Ta nisim siç bëjmë fëmijët . Kush nisi i pari?”. Kështu nuk do të bisedojmë tha Draskovic dhe nisi të flasë në fillim si ishte pritur Marrëveshja e Brukselit dhe krahasoi me tani.
“Për shkak të Marrëveshjes së Brukselit, kur u nënshkrua një Aleksandar Vucic të gjallë në sheshin e republikës iu mbajt një meshë funerali. Tre peshkop shërbyen meshë mortore të gjithë qeverisë serbe për shkak të marrëveshjes së Brukselit. Për shkak të, para së gjithave, nenit 14. Unë nuk di, përveç disa përjashtimeve se kush e mbështeste Marrëveshjen e Brukselit këtu në atë kohë. Kisha u ngrit dhe i binte të gjitha kambanave kundër marrëveshjes së Brukselit, thoshin se kjo është tradhti e Kosovës dhe më këtë marrëveshje u dorëzua Kosova, thuajse deri atë moment ishte pjesë e Serbisë e me të e dorëzuam me marrëveshjen e Brukselit. E gjithë opozita, realisht e tërë opozita u ngrit kundër Marrëveshjes së Brukselit. Në partinë e arkitektit të marrëveshjes, Aleksandar Vucic, shumica ishin kundër saj, megjithëse nuk ishte shprehur publikisht dhe zëshëm.”
Këtu ndërhyn gazetari serb me “e tani erdhi Kurti dhe doli me qëndrim se edhe unë jam kundër marrëveshjes së Brukselit”. Ai e pohoi se sipas tij ka përgjegjësi edhe nga pala kosovare për krizën.
“Po edhe kundër Asociacionit dhe Marrëveshjes së Brukselit, por unë po them që Asociacioni i Komunave Serbe si një condicio sine qua non duhet menjëherë të jetësohet, ndërsa ne duhet të ndalojmë të ndjellim histeri e panik rreth kërkesave të Kosovës. Për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, madje edhe anëtarësim në Bashkimin Europian pasi kjo të më falni është e garantuar me nenin 14. Me marrëveshjen e Brukselit nuk është pranuar Kosova si shtet, por është pranuar sovraniteti i kushtetutës kosovare dhe ligjeve, institucioneve në të gjithë territorin e Kosovës. E tani, nëse akterët ndërkombëtarë pajtohen dhe përqendrohen në zbatimin e pakusht të marrëveshjes së Brukselit, tek atëherë realisht hapen dyert për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve për planin e Scholz-Macron dhe të amerikanëve. Mirë, tani është një plan i Bashkimit Europian, por një plan i Bashkimit Europian është një asgjë nëse nuk është një plan që mbështetet fuqishëm nga Amerika.”
Draskovic shtoi tutje se ka edhe probleme brenda BE’së të cilat kanë efekt në dialog dhe në zgjidhjen e jo vetëm çështjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë por edhe funksionimit të vet bllokut europian.
“Në anën tjetër, Bashkimi Europian, që unë mendoj se sot është një orkestër pa harmoni, duhet që të votojë një lloj të vetin lex specialis, për të iu mundësuar të zgjedhë çështje të nxehta të Europës në këtë situatë të tmerrshme gjeopolitike, duke suspenduar deri në një kohë të pacaktuar rregullin e çmendur e imbecile të konsensusit në raste të vendosjes për çfarëdo në Bashkimin Europian. Një shtet i vetëm mund t’i bllokojë të gjitha të tjerat, kjo nuk është demokraci por një idiotizëm. Duhet të vendoset rregulli i vendimit me shumicë.”
Ai më tej në diskutim iu kthye dialogut mes Kosovë-Serbisë dhe planit tani europian për zgjidhjen finale të marrëveshjes së normalizimit mes Kosovës dhe Serbi. Ai shtoi se në Serbi duhet të ndërpritet retorika e propaganda dhe duhet edukuar publiku serb rreth realitetit të shtetësisë së Kosovës.
“Kjo marrëveshje e Brukselit, posaçërisht me nenin 14, në një mënyrë të caktuar i hap derën pranimit të atij formulimit në planin Scholz-Macron që Serbia nuk do të kundërshtojë jo vetëm anëtarësimit të Kosovës në integrimin europian…jo jo kjo nuk i bie mbyllje e syve. Ne po e teprojmë me këtë theksimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB. Së pari t’ua kujtoj, Bashkimi Sovjetik ka qenë anëtar i OKB’së dhe anëtar në Këshillin e Sigurimit e në të njëjtën kohë anëtare të OKB’së ishin edhe Ukraina e Bjellorusia, si republika në përbërjen e Bashkimit Sovjetik. Tani kjo OKB siç është tani, ndoshta do të ishte më mirë të mos ishte fare. E ka humbur të tërë rëndësinë, kuptimin, është shndërruar në një shoqëri kulturore-artistike që mundet vetëm të sjellë ca rezoluta e deklarata e të mbajnë fjalime aty, ndërsa këto rezoluta e deklarata s’vlejnë ama bash asgjë, pasi s’lëviz asgjë pa vendimin e Këshillit të Sigurimit. A e aty secili prej anëtarëve ka të drejtën e vetos, ku njëri bllokon të gjitha. Dhe përsëri kemi një rregull të tmerrshëm, kancerogjen e jo-demokratik që i lidh duart Këshillit të Sigurimit. Sot kemi disa që janë shfaqur në Perëndim që pa asnjë vizion strategjik propozojnë një gjë që është një budallallëk që këtë problem në Këshillin e Sigurimit ta zgjedhin duke e dëbuar Rusinë nga aty. E pakuptimtë. Duhen reforma të Këshillit të Sigurimit, janë të domosdoshme në këtë aspekt, ashtu që secila të mbaj të drejtën por të jetë e ligjshme vetëm ajo veto të cilën e mbështetin shumica prej të pestave.”
I pyetur si e sheh e qëndrimin e tanishëm të Serbisë, si një taktikë në dialog me Kosovën, Draskovic reagoi se nuk flet në këtë aspekt por shtoi se të dy palët kanë kapacitet t’i shmangen obligimeve të zotuara, ngjashmëri kjo mes politikanëve serbë e shqiptarë e vlerësoi, që është edhe arsyeja e presionit që të këmbëngulet për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, në tërësi.
“Nuk e di, këtë duhet pyetur presidentin e Serbisë, por që ka këso lojërash ka, dhe se jemi mjaft të ngjashëm në shumë gjëra, ne dhe shqiptarët. Po flas për përfaqësuesit e pushtetit. Si të parët e të dytit, shpesh nënshkruajmë diçka duke e menduar se kjo është nënshkrim si në akull që do ia kthejmë zjarrit pastaj. E për këtë arsye theksi duhet bartur tek kërkesa që gjithçka që është negociuar e nënshkruar duhet të zbatohet menjëherë, pa kushte e pa vonesë. Nuk e tha rastësisht ambasadori amerikan se Asociacioni i Komunave Serbe do të themelohet dhe të gjitha që janë nënshkruar do të përmbushen. Tani e vetmja pyetje është kur. Por kjo nuk bën që të jetë pjesë e planit Scholz-Macron, unë mendoj. Për shkak se Asociacioni është negociuar e nënshkruar, nuk bën që përsëri të negociohet. Por nuk bën të negociohet as neni 14, që hap dyert të pranimit të asaj që Serbia nuk do të kundërshtoj as anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.”
Kokëfortësia e të dy palëve u shtrua si argument nga moderatori që si kundërpeshë të refuzimit të kryeministrit Albin Kurti, paraqiti refuzimin e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Draskovic e shtroi ndryshe çështjen, për influencën malinje të Rusisë në Serbi dhe atë me dekada, të cilat i vlerësoi si sanksione.
“I përmende sanksionet ndaj Rusisë. Çfarë do të bëjmë me sanksionet e Rusisë ndaj Serbisë? A mendohet dikush për këtë. I shikoni mediat tona, tabloidet, partitë politike, dëgjoni ato fjalime plot putinofili, të propagandës së luftës së Putinit në Ukrainë që është shumë më e ashpër këtu sesa propaganda në vet Rusi…jo jo kjo nuk është vullneti ynë. Kjo është vullneti i KGB’së, i mediave të tij dhe të UDB’së nga këtu si filial i saj. Prandaj sipas kësaj, për Serbinë sot, më e ngutshmja është që të çlirohet nga këto sanksione, që na i kanë vënë që më 1945. Unë besoj se kur Serbia do çlirohej prej këtyre sanksioneve, që edhe Europa që sinqerisht e dëshiron Serbinë, do të kishte mirëkuptim për faktin, ku e di unë, të marrëdhënies së posaçme të serbëve ndaj Rusisë, për faktin se ne varemi në energjetikë nga ta për shkak të rrethanave e të tjera. Ky presion që t’i vëmë sanksione Rusisë ndoshta do të ishte edhe më i zbutur, e sa për efektin e sanksioneve tona ndaj Rusisë janë asgjë, si pickim i mushkonjës ndaj elefantit, as që do t’i ndjente.”
Draskovic e nisi të diskutojë pikëpamjet e tij dhe planin tani me të cilin do të duhej të vazhdohej tutje dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, së paku sipas të parit versioni që tha se e ka parë, por që ka dëgjuar se nuk ka dallim të madh me të dytin.
“E tani kur flasim për planin Macron dhe Scholz, është një nen aty që është i shkëlqyeshëm. Të gjitha që tashmë janë të garantuara, mbetet. Shumëçka i është garantuar serbëve me dokumentin e Ahtisarit, dhe asgjë nga to nuk mund të hiqet.”
Pas ndërhyrjeve rreth marrëveshjeve të deritanishme dhe përmbajtjes së tyre, ku kishte konfuzion nga njëri prej moderatorëve, Draskovic iu kthye narracionit të ngjarjeve, ku edhe vet ishte prezent. Që nga Rambuje, si politikan mjaft kontrovers nacionalist serb, duke ua kujtuar dhe duke këmbëngulur se duhet kujtuar vazhdimisht se po vuajnë ende pasojat e regjimit të Milosevic.
“Marrëveshjet që po na ofrohen nga bashkësia ndërkombëtare duhet të pranohen, na e tërheq vërejtjen historia. Çdo marrëveshje që na e ofruan në të kaluarën e ne e refuzuam, rezultonte me një marrëveshje të re që ishte shumë më e keqe se ajo që e refuzuam, e kështu me radhë i refuzuam marrëveshjet e përfunduam në gjendjen me Kosovë ku jemi. Unë mendoj se ne më në fund duhet të hapim sytë dhe që në Kuvendin e Serbisë dhe në media qartë të njoftojmë se është koha që populli serb ta di të vërtetën e plotë, që është, regjimi i Slobodan Milosevic në vitin 1999, në Rambuje e refuzoi marrëveshjen me të cilin Serbisë iu ofrua mbetja e Kosovës në kuadër të Serbisë.”
Në ndërhyrjen e moderatorit konfuz rreth rrjedhës së ngjarjeve i cili shtoi se ka konfuzion edhe në publikun serb rreth tyre dhe përmbajtjes së ofertës së parë dhe të dytës në Rambuje për Serbinë rreth Kosovës dhe ngjarjeve ende, Draskovic shpalosi opinion e tij.
“Jo kjo ishte marrëveshja e dytë që u ofrua , në të parën që u ofrua kjo nuk ishte. Mbetej ushtria, policia…e refuzuam dhe reagimi ishte që morëm të dytën marrëveshje që ishte konsiderueshëm më e keqe se e para…” këtu ndërhyn moderatori dhe e vlerëson katastrofike të dytën, ku me ironi vazhdon Draskovic duke ia përshkruar realisht katastrofën që i ndodhi Serbisë. Ai më tej shpjegon se katastrofa e vërtetë është se Kosova u humb nga vet Serbia dhe më e rënda, ende ekziston iluzioni i ushqyer me propagande ruse se ajo nuk qenka humbur fare.
“…po atë katastrofë poashtu e refuzuam dhe kur Kosova në luftë u humb me kapitullimin në Kumanovë, ajo marrëveshje u përfshi në Rezolutën 1244 që obligon Serbinë të respektojë çdo nen të asaj marrëveshjes së dytë në Rambuje që u refuzua e si rezultat solli luftën me aleancën e NATO’së. Ne duhet ta themi se ishte Slobodan Milosevic ai që në mes të luftës dhe paqes, marrëveshjes dhe vdekjes zgjodhi luftën me aleancën e NATO’së. Dhe ai në atë luftë, triumfoi. Në strategjinë e tij. Fitoi pasi që nga fillimi strategjia e tij ishte që të humbiste Kosovën…vetëm me luftë mund të humbej assesi ndryshe, dhe pastaj për humbjen e Kosovës të mos fajësohej ai, por NATO. Në atë valë akuzash se NATO dhe Perëndimi Serbisë i grabitën Kosovën, morën flakë pasionet anti-perëndimore e anti-amerikane që do e shtynin shtetin drejt Rusisë. Le të mos harrojmë, po atë ditë kur nisën bombardimet e NATO’së, Kuvendi i Serbisë miratoi çka? Miratoi rezolutën për bashkimin e shtetit serb Rusisë dhe Bjellorusisë. Pra, Kosova u humb, NATO u akuzua, vendi u kthye nga Rusia, këto ishin synimet e luftës së Slobodan Milosevic, të gjitha u realizuan. E sot, të gjitha këto janë të groposura me propagandë të tmerrshme se Kosova nuk qenka e humbur fare, por po e mbron Rusia”.
Pas diskutimit për Rambujenë dhe Rezolutën 1244, Draskovic u pyet rreth veprimtarisë së tij si kryediplomat serb për dy vite sa po negocionte me Kosovën në Vjenë, rreth planit Ahtisari. Dhe rolin e Rusisë e theksoi se dyfytyrësh dhe të dëmshëm ndaj Serbisë edhe në këtë proces.
“Bashkësia ndërkombëtare kishte njoftuar shumë qartë në katër ‘Jo’, të cilat i pranoi Këshilli i Sigurimit dhe Grupi i Kontaktit, në të cilat ishte edhe Rusia. Kjo ishte një kornizë që obligonte Ahtisarin që t’i përmbahet kësaj, nëse negociatorët e Serbisë dhe Kosovës në Beograd nuk dalin me një zgjidhje tjetër pasi gjithmonë ishte e lejuar që nëse dy palët mendojnë ndryshe ne do ta respektojmë. Jo edhe ato katër ‘Jo’ ishin udhëzime për Ahtisarin që në bazë të tyre të nisin negociatat. Ato ‘jo’ ishin: S’ka kthim prapa në gjendjen para 10 qershorit të 1999’së, përkatësisht para miratimit të rezolutës 1244 me të cilën Serbia u dëbua nga Kosova. E dyta jo, s’ka bashkim të Kosovës me Shqipërinë. S’ka ndarje të Kosovës. E katërta jo ishte në formë të po, mbrojtja më e madhe, maksimale e popullit serb në Kosovë, të trashëgimisë kulturore, të trashëgimisë kishtare, të të drejtave kolektive e individuale të serbëve në Kosovë. ”
Gazetari serb e tha troç dikur se ka shumë në Serbi që ende e shohin dialogun si negociata për statusin e Kosovës, mendimi i Draskovic ishte se çështja e statusit të Kosovës ka përfunduar dhe kompromis ka pasur edhe nga kosovarët, që kanë pranuar të lejojnë të drejta maksimale për serbët, hapsirë për vetëqeverisje lokale më tepër se që ka në Serbi. Ai përsëri e theksoi rolin malinj të Rusisë në këtë proces, që deri në fund e mbështeste fuqishëm vetëm që në fund ta keqpërdornin për synimet e veta. U theksua përsëri nga ai edhe mungesa e informacionit rreth këtyre çështjeve në opinionin publik serbi.
“Nuk negociohet për statusin e Kosovës, e as kurrë më nuk do të negociohet. Po negociohet për çështje teknike. Statusi final i Kosovës është zgjidhur pikërisht me dokumentin e Ahtisarit. Këtu as që nuk dihet se çfarë presioni të tmerrshëm ka bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës për të pranuar atë dokument. Në atë kohë shqiptarët e pranojnë pas presionit të madh që u bë ndaj tyre, e në atë kohë edhe Rusia e mbështeste këtë pasi ishte në grupin e kontaktit. Rusia fuqishëm e ka mbështetur Ahtisarin, s’ka ku shkon më fuqishëm. E tani shqiptarët e pranuan që të heqin dorë nga flamuri shqiptar, stemave të shtetit shqiptar, gjuha serbe të jetë e barabartë me atë shqipe në të gjithë territorin, rreth 40 kisha serbe të… e di se i dini të gjitha këto por duhet t’i përsërisim, pasi populli nuk e di. Për rreth 40 kishave dhe manastireve themelohen zona të mbrojtura në të cilat shqiptarët nuk munden as të kalojnë. Themelohet një njësit special policor për mbrojtjen e manastireve dhe kishave, e në këtë njësi komandant duhet të jetë serb dhe shumica e tyre duhet të jenë serbë. Themelohen 10 komuna me popullatë jo-shqiptare, të cilat kanë vetëqeverisja lokale, ekonomike e kulturore dhe zhvillimore, më të madhe sesa që e kanë komunat në Serbi, më besoni. Lejohet themelimi i Asociacionit i thotë Ahtisari, të komunave me shumicë serbe, garantohet së paku 10 mandate deputetësh, resorë ministror e të tjera. Për Kosovën nuk përmendet se është shtet i pavarur i njohur ndërkombëtarisht, e as nuk kërkohet nga Serbia që ta njohë si shtet…ky plan duhej të zëvendësonte rezolutën 1244 e në momentin e fundit Rusia tërhoqi pajtimin e saj, përkatësisht e kushtëzuan me atë që statusin me të cilin Kosovë përfitoi nga dokumenti i Ahtisarit ta përfitonte Abkazia, Osetia dhe Transnistria. Perëndimi refuzoi këtë pazar, ndërsa rusët njoftuan se kjo në Këshillin e Sigurimit nuk do të kalojë. Dhe për këtë arsye ne ende kemi rezolutën 1244, që nuk është vullneti i gjithë Këshillit të Sigurimit, kjo është vetëm pasoja e kërcënimit të Rusisë me veto. Kjo është e gjitha.”
Draskovic u thellua në Rusinë përsëri dhe si shembull se sa hileqar janë dëshmuar rusët mund ta shohin në shembullin e Ukrainës, duke iu referuar marrëveshjeve të kaluara e duke këshilluar serbët që do të duhej të bënin kujdes nga garancitë e ofruara nga Rusia.
“E tash na doli Rusia si garant i respektimit të rezolutës 1244. Ta dini unë do të frikësohesha pak nga këto garanci. Ta shohim atë Ukrainë të pafat e se çfarë ndodhi atje, që populli serb nuk e di dhe përsëri do ta përsëris. Më 1994 Ukraina ishte shtet i pavarur dhe një fuqi me peshë bërthamore. Zhvillohen bisedime mes dy fuqive bërthamore, do të thotë Rusisë e Ukrainës. Miratohet memorandum me të cilin Ukraina arsenalin e saj bërthamore ia dorëzon Rusisë, ndërsa Rusia nënshkruan si garantues i integritetit dhe sovranitetit të Ukrainës. Garantues ishin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Tash ky garantuesi i integriteti territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, thjeshtë e sulmoi atë më 2014”.