Drashkoviqi: Vuçiqi e di se e ka humbur Kosovën
Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, tani lider i Lëvizjes për Ringjalljen Serbe, Vuk Drashkoviq është duke i përkrahur deklarimet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se dëshiron ta zgjidhë problemin me Kosovën.
Duke iu referuar deklarimeve të Vuçiqit në Samitin e Sofjes, Drashkoviqi ka thënë se presidenti serb është duke paraqitur qëndrimet reale për Kosovën, pasi sipas tij e di se e ka humbur atë.
“Vuçiqi na e kujton me kujdes, pasi e di edhe ai se Kosova është e humbur. Kjo është një luftë që ne e kemi nënshkruar, pra nuk ka shtet të Serbisë në Kosovë. Vendosi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë se ky vendim nuk është në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Drashkoviqi, shkruan “Danas”.
Drashkoviqi ka theksuar se qëndrimi i tij kundër referendumit për Kosovën është pasi serbët nuk po i njohin faktet dhe po e cilësojnë Kosovën pjesë të Serbisë.
“Kjo duhet të shmanget pasi njerëzit nuk e dinë aspak, pra nuk i njohin faktet. Njerëzit mendojnë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë”, është shprehur Drashkoviqi.