Drecun: Kurti po i zbaton qëllimet e Perëndimit, dallojnë vetëm në lëvizjet taktike
Kryetari i komisionit parlamentar të Serbisë për Kosovën, Milovan Drecun, ka thënë të hënën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thjesht po i zbaton qëllimet perëndimore, duke përfshirë synimin që Serbia ta njohë Kosovën si shtet.
“Ne ende nuk e kuptojmë se Perëndimi politik është ende në luftë me Serbinë dhe se gjithçka që po ndodh tani është një vazhdim i bombardimeve kriminale të Serbisë, por i mbështjellë me një mbulesë tjetër”, ka thënë Drecun për “TV Pink”.
Ai ka thënë se Kurti është vetëm duke i zbatuar kërkesat e Perëndimit.
“Kurti është një mjet dhe një instrument për zbatimin e kërkesave dhe interesave përfundimtare perëndimore. Dallimi i vetëm midis Prishtinës dhe Perëndimit sot qëndron në disa lëvizje taktike, ndërsa gjithçka tjetër është diçka e përbashkët”, ka thënë Drecun.
Më tutje, ai ka thënë se Perëndimi dhe Kosova kanë synim identik, njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Kurti nuk po e fsheh këtë, ai dëshiron ta fusë atë shtet të rremë edhe në OKB, sepse pa këtë, ata në asnjë mënyrë nuk mund të kenë një shtet në kapacitetin e tij të plotë në aspektin e ligjit ndërkombëtar dhe nuk mund ta bëjnë këtë pa arritjen e një lloj marrëveshjeje përfundimtare me Beogradin”, është shprehur Drecun.