Drecun: Nuk kam informacion se serbët po largohen nga FSK-ja
Në Beograd nuk kanë reagime zyrtare ndaj lajmit se disa pjesëtarë serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) e kanë lëshuar këtë forcë, si pasojë e presionit nga Beogradi.
Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, ka thënë për Shërbimin e Ballkanit të “Radios Evropa e Lirë” se nuk ka informacion se rreth 20 pjesëtarë të FSK-së nga rajoni i Gjilanit kanë bërë kërkesë kolektive për tërheqje nga kjo forcë.
“A kanë treguar ata se më herët kanë pasur presion nga shqiptarët për të hyrë në FSK? Pastaj, a mund t’i bindë dikush të largohen? Nëse po, le të sjellin prova”, është shprehur Drecun.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të enjten se presionet e Beogradit ndaj pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë “krim” ndaj tyre.