Drecun: Për asociacionin do të vendosin shqiptarët në katër komuna në veri

25 prill 2023 | 11:25

Kryetari i të ashtuquajturit komision serb për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, ka thënë se tani edhe nëse pajtohet Kosova për formimin e asociacionit, për këtë do të vendosin kryetarët dhe këshilltarët e rinj shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga serbët.

Ai ka deklaruar për televizionin serb “RTS” se edhe nëse statuti i asociacionit, i cili do të propozohet nga “ekipi menaxhues serb” më 2 maj në Bruksel gjatë vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, do të miratohej, ai duhet të votohet nga këshilltarët e sapozgjedhur shqiptarë në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

“Edhe nëse e pranojnë të gjithë këtë, si mund të zbatohet praktikisht në një situatë ku nuk ka këshilltarë dhe kryetarë serbë? Në këtë variant, mund të formohet vetëm asociacioni i cili do të ishte i pjesshëm, në të do të merrnin pjesë gjashtë komuna në jug të Ibrit, por këto katër në veri do të largoheshin nga ky tregim për asociacionin”, ka thënë Drecun.

Duke qenë i vetëdijshëm për gabimin politik të bërë nga shefi i tij, Vuçiq, kur ka urdhëruar që serbët të bojkotojnë zgjedhjet me qëllim të paralizimit të institucioneve të Kosovës, ai ka pretenduar se tani ekziston një “pengesë e pakapërcyeshme” që “ndoshta mund të zgjidhet” me një marrëveshje politike për të “shfuqizuar rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura të dielën, të tërhiqet Policia e Kosovës nga veriu i Kosovës, të fillohet me formimin e asociacionit, e me çka do të krijoheshin kushtet e kërkuara nga Vuçiqi që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xh.M., 23 vjeç, nga komuna e Malishevës, ka të përfunduar…