Drecuni: Nuk do të ketë marrëveshje në takimin e sotëm në Bruksel
Kryetari i të ashtuquajturit “Komisioni serb për Kosovën”, dhe ish-analisti ushtarak i kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq, Millovan Drecun, ka deklaruar sot ( e enjte) për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” se “bazuar në qëndrimet dhe pozicionet e marra të Kosovës në veri të Kosovës, të cilat nuk dëshiron t’i humbasë, nuk ka mundësi të arrihet ndonjë marrëveshje në takimin e sotëm në Bruksel, i cili do të çonte në depërshkallëzim të situatës në veri të Kosovës”.
Ai ka thënë se në takimin e sotëm të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duhet të arrihet një marrëveshje shumë e fortë me hapa konkretë se si të qetësohet situata në veri të Kosovës, dhe si të krijohen kushtet që serbët dhe përfaqësuesit e tyre politikë të kthehen në institucionet e “përkohshme” të Kosovës” sepse, sipas tij, “nuk janë hequr arsyet” pse ata janë larguar nga ato institucione, transmeton Paparaci.
Drecuni ka pretenduar se “ajo për çfarë do të duhet të dakordohet dhe që Kurti ta zbatojë atë, është tërheqja e pjesëtarëve të njësive speciale “të militarizuara” policore nga veriu, jo vetëm nga ndërtesat komunale, tërheqja e kryetarëve “të rremë” nga këto ndërtesa, organizimi i zgjedhjeve në mënyrë që “do të ishte e pranueshme për popullin serb” në mënyrë që ata të kthehen në katër komunat, si dhe të ndalojnë “terrorizimin” e popullatës serbe dhe të lirojnë serbët e arrestuar”.