Drecuni: Prokuroria Speciale në Hagë është duke u shërbyer me informatat tona
Zyrtarët serbë vazhdojnë haptazi të tregojnë se kanë furnizuar Prokurorinë Speciale me materiale nga Serbia, dhe se Gjykata Speciale është duke funksionuar me të dhëna të marra nga ta.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Serbi dhe propaganduesi serb i regjimit të Millosheviqit, Milovan Drecuni dje në emisionin e mëngjesit në televizionin serb “HapyTv” ndër tjerash ka deklaruar se janë dhënë 159 lokacione.
“Në bazë të ndodhive, në bazë të lokacioneve, në baze të asaj që po e shoh që është prioritet i Prokurorisë Speciale (burgimet ilegale, arrestimet, keqtrajtimet…), po e shoh që ka shumë informata që ne iu kemi dhënë, p.sh. burgjet ilegale, nga 159 lokacione nga to edhe në Shqipëri, ata tashme i kanë marrë 15 në territorin e Kosovës dhe 2 në Shqipëri, që do të thotë që ende s’është përfunduar kjo punë. Unë kam listën e asaj që ne iu kemi dhënë atyre (prokurorisë speciale), dhe po e shoh që gati krejt prej të dhënave janë gjete në aktakuzë, e kam fjalën për ngjarjet dhe lokacionet që janë marrë”.
“Natyrisht, edhe shumë çka iu kemi dhënë, gjë që është më e rëndësishme është përgjegjësia komanduese sepse ne iu kemi dhënë strukturën komplete te UÇK-së… Po ashtu në kuadër të trupit punues patëm përgatit një dosje të veçantë për vrasjet e romeve, me 165 viktima të identifikuara”, ka thënë Milovan Drecuni.